VMRO-DPMNE ka publikuar shpallje për kandidat për president të Maqedonisë

VMRO-DPMNE ka publikuar shpallje publike për paraqitje të kandidaturave për president të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Marketing

Nga partia thonë se të gjithë ato kandidatë, të cilët i plotësojnë dispozitat ligjore dhe kushtet për kandidim dhe të cilët pajtohen dhe i përkrahin politikat e VMRO-DPMNE-së, duhet që të dorëzojnë letër individuale deri te selia e partisë më së voni deri më 31 janar.

“Menjëherë pasi të dorëzohen kandidaturat, të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet, do të kenë të drejtë të barabartë t’i prezantojnë planet dhe programin përpara partisë. Në pajtueshmëri me vendimin e Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së në konventë do të marrin pjesë dhe do të vendosin 550 delegatë. Parimi për zgjedhje është me votim të fshehtë, ndërkaq për do të vlerësohet si kandidat i zgjedhur i VMRO-DPMNE-së për kandidim në zgjedhjet presidenciale ai që do të fitojë më shumë vota, por jo më pak se një e treta e delegatëve. Nëse asnjëri kandidat nuk e fiton numrin e nevojshëm të votave, atëherë votimi do të përsëritet. Në votimin e dytë do të marrin pjesë dy kandidatë të cilët kanë marrë më shumë vota në votimin e parë”, informojnë nga partia opozitare.

Sipas informatave, konventa duhet të mbahet më 16 shkurt. Në parti janë të bindur se kandidati i tyre do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se me 2 ose 3 shkurt të këtij viti do të shpallen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sipas të gjitha gjasave në fund të marsit, ose në fillim të prillit.

Që zgjedhjet të jenë të suksesshme, duhet që të dilet në rrethin e dytë rreth 720 mijë votues, ose rreth 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Listën Zgjedhore.

Burimet kuvendore thonë se nëse nuk do të ketë cenzus, atëherë do të iniciojnë ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjedhet në Kuvend. Shumica parlamentare me tetë deputetët e pavarur nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së ka 80 vota, aq sa nevojiten për ndryshim të Kushtetutës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale që janë mbajtur më 13 dhe 27 prill të vitit 2014, i ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.