VMRO-DPMNE: Zgjedhje të parakohshme në tetor të vitit të ardhshëm bazë e mençur për biseda me pushtetin

Termini për zgjedhje të parakohshme në tetor të vitit 2020 që sot opozitës ia ofroi kryeministri Zoran Zaev, për VMRO-DPMNE-në është bazë e mençur për biseda me pushtetin në atë temë.

Marketing

“Është e dukshme se nën presion të opinionit pas skandaleve të shumta pushteti i cili është në rënie e pranon propozimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërsa, sa i përket terminit të ofruar për tetorin e vitit të ardhshëm, supozohet si bazë e mençur për biseda me pushtetin në atë temë”, deklaroi sot zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse ky termin është i pranueshëm për partinë dhe nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje, a do të ketë marrëveshje edhe për Ligjin e Prokurorisë Publike.

Në lidhje me atë nëse marrëveshja për zgjedhje është e lidhur me marrëveshjen për Prokurorinë Publike, a janë kushtëzuar njëra me tjetrën, Stoilkovski theksoi se ajo që është potencuar deri tani, dhe tani, është se takimi i liderëve është i pamundur pa temën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në pyetjen nëse partia është në koalicioni me BESËN, sepse dje në Kuvend së bashku kanë siguruar shumicë dhe supozohet se janë linjë e njëjtë me shikim të datës për kërkesë të zgjedhjeve të parakohshme, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së theksoi se nuk është fshehtësi se janë në komunikim të përhershëm me të gjitha partitë politike.

Kryeministri Zoran Zaev sot në Kumanovë, deklaroi se është i inkurajuar nga negociatat e djeshme të grupeve të punës për ligjin e prokurorisë publike, duke shtuar se janë rrumbullaksuar dy punë dhe se është caktuar takimi i ardhshëm në të cilin do të diskutohet për çështjet tjera të hapura mes të cilave edhe për njeriun e parë të prokurorisë.

Zaev theksoi se mbetet edhe më tutje optimist, ndërsa nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, ato mund të mbahen në tetor të vitit 2020.