VMRO kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese vazhdon të përplasë partitë politike maqedonase. Pas publikimit në Gazetën Zyrtare të ndryshimeve kushtetuese, VMRO–DPMNE ka kërkuar zgjedhje te parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet. Ata akuzuan Zaevin dhe LSDM-në se kanë shitur interesat shtetërore me ndryshimin e emrit të shtetit.

Marketing

“Nuk bënë asgjë përpos tradhtisë. Zoran Zaev dhe kjo qeveri e preokupuar për një çështje, e përmbylli me një katastrofë nacionale nëpërmjet ndryshimit të emrit, identitetit, gjuhës, historisë, kulturës, arsimit, ndryshimit të gjithçkaje që është maqedonase. Zaev dhe ju të turpëruarit e LSDM-së mos ikni nga përgjegjësia, mos u fshihni pas vendimeve partiake, dilni në zgjedhje ku do të fitojë populli, ku do të fitojë VMRO-DPMNE, që të fitojë Maqedonia me dinjitet dhe krenari”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Kanë reaguar nga LSDM. Sipas tyre, me ndryshimet kushtetuese vendi po hap një faqe të re ku do të mbretërojë stabiliteti, siguria dhe zhvillimi ekonomik. Me realizimin e Marrëveshjes së Prespës, që është në fazën finale, vendit i hapet rruga drejt anëtarësimit në NATO-s dhe BE-së.

Sipas socialdemokratëve, vendi do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s, ndërkaq këtë vit pritet të nisin edhe bisedimet me BE-në.

Për zgjedhje të parakohshme janë shprehur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit. Për Aleancën, Maqedonia do të fitonte një qeveri europiane, ndërkaq Besa opozitare konsideron se zgjedhjet e parakohshme do ta rimëkëmbnin partinë, por fillimisht do të duhet që fokusi të vihet në integrimet euroatlantike.

Marketing