Qeveria insiston se drejtori i sapoemëruar i Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski ishte njeriu më i përshtatshëm për këtë funksion të lartë shtetëror. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski theksoi se Tasevski është profesionist i jashtëzakonshëm, duke hedhur poshtë akuzat se Tasevski erdhi në këtë funksion për shkak të afërsisë me partinë më të madhe në pushtet, LSDM-në.

Bëhet fjalë për profesionist të jashtëzakonshëm, njeri që gjithë karrierën e tij e ka kaluar në Ministrinë për Punë të Brendshme, mes tjerash edhe doktor shkencash. Dhe vlerësojmë se çfarëdo lidhje që është e papërshtatshme për funksionin që e kryen, është tërësisht joracionale- deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

VMRO DPMNE-ja opozitare megjithatë vazhdon të akuzojë se me emërimin e Tasevskit, Qeveria e Zoran Zaevit ka shkelur të gjitha parimet e karrierës dhe dinjitetit, duke i degraduar të gjithë profesionistët që për vite me radhë në mënyrë profesionale e kanë ndërtuar karrierën e tyre në MPB.
Arritja më e madhe e Sasho Tasevskit është ajo se bashkë me kolegun e tij në Kuvend, ku sipas rregullores së Kuvendit nuk guxon të bartet armë, nën komandën e Zoran Zaevit ka shtënë mbi qytetarët, si roje e atëhershme personal i Oliver Spasovskit. Taevski për këtë u shpërblye dhe nga roje personale u bë drejtor i BSP-së, një nga funksionet më të rëndësishme në kuadër të MPB-së- tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Në konferencën për shtyp të opozitës u shfaqën fotografi të përbashkëta të Tasevskit me aktivistë të LSDM-së, të cilët kishin marrë pjesë në protestat e Revolucionit Laraman, kishin djegur fotografi të Presidentit, Gjorge Ivanov dhe kishin demoluar zyrat e tij. Emërimi i Tasevskit në krye të BSP-së u bë një ditë më parë nga Qeveria. Ai në këtë funksion vjen pasi ka qenë në krye të Departamentit të Sigurisë, e njohur ndryshe dhe si Drejtoria e Gjashtë. Vendimin e konfirmojmë edhe nga vetë Qeveria. Ai në opinion u bë i njohur pas pamjeve të 27 prillit ku shihet duke mbrotjur deputetët.

Në atë periudhë ai ishte truprojë i Oliver Spasovskit, i trashëguar që nga koha kur ai ushtronte funksionin e ministrit të Brendshëm teknik.