VOA: Si e përdori Kina median e huaj për të përmirësuar imazhin gjatë pandemisë

Në ditët e para të shpërthimit të koronavirusit, Kina u përpoq të bllokonte lajmet për virusin që përhapej me shpejtësi, duke arrestuar ata që përpiqeshun të ngrinin zërin. Por në muajt që pasuan, ndërsa familjet dhe ekonomitë po rrënoheshin nga pandemia, Pekini u përpoq të rehabilitonte imazhin e vet publik përmes mediave të huaja, tregon një studim i botuar të mërkurën nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ).

Një sondazh i 54 sindikatave të gazetarëve në 50 vende zbuloi një rritje të numrit të vendeve që njoftojnë për një prani të dukshme kineze në mediat e tyre, nga 64% në 76% në një vit. Në vendet ku Kina ka ofruar mbështetje dhe trajnim për mediat lokale, një përqindje më e lartë thanë se mbulimi i Pekinit ishte më i favorshëm, sipas raportit të IFJ-së.

Marketing

“Historia e koronavirusit gjatë 12 muajve të fundit është përdorur me sukses nga Kina për të krijuar një imazh më pozitiv të Kinës, në një numër vendesh,” i tha Zërit të Amerikës Jeremy Dear, zëvendës sekretari i përgjithshëm i IFJ-së.

Të anketuarve nga studimi iu kërkua të vlerësonin në një shkallë nga 1 deri në 10 të mbulimit të Kinës që nga fillimi i pandemisë, ku 1 ishte mbulimi më negativ dhe 10 më pozitivi. Sondazhi zbuloi se kontinenti ku mbulimi i Kinës pa ndryshimin më të madh pozitiv ishte Evropa, me6.3, ndërsa Amerika e Veriut kishte ndryshimin më negativ, 3.5.

Ndikimi i Pekinit u pa më pozitivisht në Afrikë, ku gjysma e të anketuarve e përshkruan atë si të dobishëm dhe të gjithë raportuan se Kina kishte një prani të dukshme në mediat e tyre.

Zoti Dear tha se Kina “po investon më shumë përpjekje dhe burime në drejtim të mbulimit të medias”, përfshirë presionin nga ambasadorët dhe diplomatët, ofertat e trajnimit për media ose kontrata më fitimprurëse të punës dhe përmbajtje falas për mediat nën vështirësi ekonomike. Një rënie e të ardhurave nga reklamat gjatë pandemisë kontribuoi edhe më tej në tkurrjen e redaksive në gjithë botën.

Në të njëjtën kohë, Pekini u përpoq të kufizonte mediat e huaja brenda Kinës, duke mohuar vizat për gazetarët ose duke i dëbuar ata. Masat erdhën si përgjigje ndaj vendosjes së kufizimeve të vizave nga SHBA për stafin e pesë mediave të drejtuara nga kinezët, përfshirë Agjencinë e Lajmeve Xinhua dhe ndaj ndalimit nga rregullatori i medias në Mbretërinë e Bashkuar Ofcom (Zyra e Komunikimeve) të Rrjetit Global të Televizionit të Kinës.

Megjithë këto “përpjekje ndonjëherë kontradiktore nga Kina për të ndikuar në mediat globale”, tha zoti Dear, “të gjitha këto kanë objektivate tyre, për të mbështetur një fuqi në rritje ekonomike dhe politike të Kinës dhe (duke treguar) një histori të centralizuar”.

Ministria e Jashtme e Kinës mbrojti përpjekjet e saj mediatike në një konferencë të 11 majit. Hua Chunying, zëdhënëse e ministrisë së jashtme, tha se si ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe vendi më i madh në zhvillim, “natyrisht që ne duhet të kemi dhe meritojmë një vend në relievin e mediave ndërkombëtare.”

“Shtetet e Bashkuara kanë filluar një sulm disinformues ndaj Kinës me pretekstin e lirisë së medias,” tha zonja Hua, duke shtuar se Kina kurrë nuk vë në shënjestër vendet e tjera.

Ajo Hua vuri në dukje se SHBA “autorizon 300 milion dollarë për çdo vit fiskal për të ” kundërshtuar ndikimin keqdashës të Partisë Komuniste Kineze globalisht “.”Hua i referohej një projekt-ligji të Senatit “për të adresuar çështje që përfshijnë Republikën Popullore të Kinës”.

Analistët e medias, megjithatë, kanë theksuar dallimet mes mediave të drejtuara nga shteti si CGTN dhe mediave të financuara nga qeveritë, por të pavarura editorialisht, të tilla si BBC e Britanisë së Madhe dhe Deutsche Welle e Gjermanisë. Zëri i Amerikës dhe rrjetet e tij simotra, përfshirë Radion Evropa e Lirë / Radio Liria (RFE / RL), financohen nga Kongresi Amerikan, por pavarësia e tyre editoriale nga ndërhyrjet politike është e mbrojtur me ligj.

Të gjitha vendet në një farë mase “përpiqen të përdorin pushtet të butë, dhe media shpesh është pjesë e tij, në mënyrë që të përmirësojnë pozicionin e tyre politik dhe ekonomik në botë”, tha zoti Dear. “Kjo është ajo që po bën Kina, dhe është një reflektim i fuqisë së saj në rritje ekonomike dhe politike.”

Pandemia i dha Pekinit një mundësi “për të promovuar sistemin socialist dhe udhëheqjen e Partisë Komuniste si superiore ndaj sistemit perëndimor të demokracisë, vlerave universale dhe lirisë”, i tha Zëri i Amerikës Dan Garrett, një ish-analist zbulimi në Pentagon. .

“Pa diskutim që ka një aspekt të fushatës aktuale të informacionit nga Pekini që është i orientuar drejt diskreditimit të mediave perëndimore si të njëanshme, si raciste, si anti-Kinë.”

Në të gjitha vendet e përfshira në hulumtimin e IFJ, përveç tre prej tyre, Kina dhuroi ndihmë për pandeminë, pajisje mjekësore dhe pajisje mbrojtëse personale. Raporti i IFJ-së zbuloi se shpesh furnizimet e përshkruara në mediat lokale si donacione nga Pekini ishin blerë nga qeveritë.

Në Serbi, qeveria është radhitur në krah të Kinës që kur Pekini e mbështeti atë gjatë konfliktit të Kosovës në fund të viteve 1990 dhe bombardimeve të NATO-s.

Në fillim të pandemisë, Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç vizitoi Pekinin, duke thënë, “Ju nuk u frikësuar nga bombat e NATO-s. Vizita ime tregon se nuk kemi frikë nga virusi,” thuhet në raportin e IFJ-së.

Kina dërgoi gjithashtu furnizime dhe pjesën më të madhe të vaksinave për Serbinë. Në prill, Kryeministrja Ana Brnabic tha se Serbia kishte marrë rreth 2.5 milion doza të vaksinës së prodhuar kineze Sinopharm dhe pak më pak se një milion vaksina nga të gjithë prodhuesit e tjerë të marrë së bashku.

Ndikimi i Kinës dhe mbështetja e Beogradit ndaj saj “ekziston pa asnjë dyshim,” tha Dinko Gruhonjic, kryeredaktor i medias serbe VOICE dhe drejtor programi i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës.

“Është propagandë zyrtare, me pretendimin se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi braktisën Serbinë në momentin e nevojës. Dhe se vendi do të ishte i dënuar pa ndihmën e ‘vëllezërve Kinezë’ të cilët siguruan materiale sanitare, vaksina dhe mjete të tjera ndihme ,” tha zoti Gruhonjic për Zërin e Amerikës.

“Ishte një nga linjat mbizotëruese në shumicën e mediave pro-qeveritare, përfshirë tabelat e vendosura rreth Beogradit në mbështetje të miqësisë së supozuar midis popullit serb dhe kinez,” tha ai.

Tabelat u shfaqën në Beograd vitin e kaluar, duke thënë “Faleminderit, vëlla Xi”. Ato thuhet se u financuan nga një gazetë tabloide pro-qeveritare, sipas RFE / RL.

Qeveria serbe zotëron ose kontrollon pothuajse të gjitha mediat në vend, tha IFJ.

“Publiku serb e pranon atë lloj linje dhe propagande. Shumica konsumon media shtetërore dhe pro-qeveritare dhe është e bindur se aleatët e Serbisë janë nga Lindja e globit dhe armiqtë janë nga Perëndimi”, thotë zoti Gruhonjic.

Përveçse vunë re një prani të shtuar kineze në mediat e tyre, më shumë se 80% e të anketuarve në mbarë botën kanë shprehur shqetësime mbi disinformimin në rritje në mediat kombëtare.

Zoti Garrett, i organizatës joqeveritare Securing Tianxia, tha se Kina, Rusia dhe të tjerët “mbështeten në paaftësinë e individëve dhe lexuesve të lajmeve ose në mungesën e kohës për të analizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse burimet e medias për të pasur të gjitha këndvështrimet nga shumë burime të ndryshme.”

“Mendoj se është një problem shumë sfidues për konsumatorin mesatar të medias,” shtoi ai.

Raporti i IFJ-së zbuloi se ndikimi i Pekinit shihej më pozitivisht në Afrikë se në çdo kontinent tjetër.

Kina u ka ofruar përmbajtje mediatike, trajnime dhe burime disa vendeve afrikane, ku njësitë lokale të lajmeve përballen me vështirësi ekonomike.

“Kina ka investuar shumë në mediat e saj në Afrikë, dhe posaçërisht në Kenia, në mënyrë që ata të kenë organet e tyre mediatike për të përcjellë historinë e Kinës,” i tha Zërit të Amerikës Eric Oduor, sekretari i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve të Kenias.

Për IFJ-në, përfundimet e studimit nënvizojnë rëndësinë e mediave të pavarura dhe edukimit mediatik si edhe të ndihmës për menaxherët e lajmeve që të kuptojnë etikën e marrjes së përmbajtjes falas nga Kina.

“Ajo që po shohim është një narrativë e drejtuar dhe kontrolluar nga lart, qoftë kur bëhet fjalë për Nismën ‘Një Brez, një Rrugë’, qoftë në lidhje me koronavirusin, qoftë në lidhje me Ujgurët, qoftë në lidhje me Detin e Kinës Jugore. Të gjitha këto çështje që janë të rëndësishme politikisht ose ekonomikisht për Kinën”, i tha zoti Dear i IFJ-së.

“Kjo është arsyeja pse gazetaria është kaq e rëndësishme. Ajo nuk pranon thjesht atë që thotë çdo qeveri. Ajo bën pyetje për atë qeveri. Ajo merr pikëpamje të tjera.” /Voa

Marketing