Vogel: Rezultati zgjedhor përcakton dinamikën e dialogut me Serbinë

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë ishin model për Ballkanin Perëndimor, thotë Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit.Sipas tij, fitorja e ngushtë e dy partive opozitare reflekton pakënaqësinë e qytetarëve kosovarë me 12 vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës.

Marketing

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Toby flet edhe për ndikimin që do të ketë fitorja e, siç e quan ai, një aleance të patestuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ajo do ta përcaktojë edhe dinamikën e procesit të bisedimeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Vogel, çfarë tregojnë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë?

Toby Vogel: Para së gjithash, mendoj se është një gjë e jashtëzakonshme që zgjedhjet janë mbajtur në kushte të tilla. Ka pasur shumë pak parregullsi, zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të drejta. Askush nuk po e konteston rezultatin e tyre, edhe pse është shumë i ngushtë sa i përket përqindjes së votave që partitë individuale kanë fituar. Mendoj se këto janë zgjedhje model, gjë që nuk është e zakonshme në Ballkanin Perëndimor. Kjo është gjëja e parë që do theksuar. E dyta: partia më e fuqishme tani është një parti që nuk ka përvojë në qeverisjen e vendit. Mendoj se kjo reflekton faktin se kosovarët janë thellësisht të pakënaqur, 12 vjet pas qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës, dhe se janë të gatshëm për diçka të re. Ata janë të gatshëm t’i japin mandatin – ndoshta jo me shumicë dërrmuese – një partie të patestuar, për të formuar qeverinë dhe për të udhëhequr qeverinë me parti të tjera.

Pra, Lëvizja Vetëvendosje e qendrës së majtë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e qendrës së djathtë kanë marrë numrin më të madh të votave. A mund të punojnë ato së bashku në formimin e qeverisë?

Toby Vogel: Ato janë shumë të ndryshme. Është një aleancë e patestuar, ideologjikisht është e vështirë, por ajo që i bën bashkë mendoj se është opozita ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe sundimit të saj. Në këtë kuptim, Vetëvendosje dhe LDK-ja po përpiqen të thyejnë një lloj politike që lidhet me ditët e rezistencës së armatosur kundër Serbisë. Pra, me fjalë të tjera, këto janë parti që duan të shohin përpara e jo të arrijnë legjitimitet duke u bazuar në të kaluarën e liderëve të tyre. Siç e thashë edhe më herët, në praktikë kjo është një aleancë e patestuar. Udhëheqësi i Vetëvendosjes është i patestuar si lider i zyrës (së qeverisë), si kryeministër potencial. Por, një gjë e tillë ndodh gjithmonë kur ndryshon drejtimi.

Çfarë do të thotë ky rezultat për dialogun me Serbinë?

Toby Vogel: Deri më tash, dialogu ka qenë kryesisht një çështje midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se tani, pozicioni i presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi, i cili ka dalë në favor të disa ndryshimeve apo shkëmbimeve territoriale midis dy vendeve, do të bëhet gjithnjë e më i vështirë, sepse Vetëvendosje është kundër çdo ideje për diskutim territoresh me Serbinë. Kjo do ta komplikojë në masë të madhe dialogun. Dialogu tashmë ka ngecur për kohë të gjatë, por edhe para asaj kohe nuk ka sjellë ndonjë rezultat. Implikimet praktike në këtë proces nuk do të jenë të mëdha, por ato substanciale do të jenë. Dialogu tani do të duhet të zhvendoset nga bisedimet për shkëmbime territoriale në çështje më substanciale të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Si e shihni përfshirjen gjithnjë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në këtë proces? Kujtoj këtu se Matthew Palmer është i dërguar Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin, ndërsa Richard Grenell është emëruar i dërguar i presidentit për dialogun Kosovë-Serbi.

Toby Vogel: Kjo është e vërtetë. Edhe Bashkimi Evropian do të emërojë tani të dërguarin e vet të posaçëm për këto bisedime. Mendoj se përfshirja e Amerikës është shqetësuese. BE-ja nuk ka qenë shumë e suksesshme në menaxhimin e këtij dialogu dhe për mua është e qartë se të dërguarit e rinj duan të adresojnë procesin sa më shpejt që është e mundur. Në qarqet amerikane, shkëmbimi i territoreve vazhdon të jetë rruga më premtuese për zgjidhjen e çështjes. Por, kjo do të jetë shumë destabilizuese për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu është diçka që gjermanët dhe të tjerët e kanë kundërshtuar. Albin Kurti, udhëheqës i Vetëvendosjes, është po ashtu kundër. Pra, mendoj se do të shohim një dinamikë krejtësisht të re në dialog. Nëse ajo do të jetë ngecje totale ose hapje e rrugëve të reja, është vështirë të thuhet. Unë do të isha shumë i lumtur sikur dialogu të lëvizë larg idesë se shkëmbimi i territoreve sjell stabilitet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Në këtë aspekt, cilat do të jenë sfidat e para që e presin qeverinë e re?

Toby Vogel: Si vëzhgues i jashtëm, mua më duket se njerëzit në Kosovë mezi presin ndryshimin. Ata janë të pakënaqur me stagnimin që kanë parë gjatë dekadës së kaluar, për të cilin nuk duhet fajësuar vetëm qeveria. Mjedisi ndërkombëtar ka qenë shumë sfidues. Serbia ka qenë mjaft agresive në përpjekjet për izolimin diplomatik të Kosovës, sa u përket njohjeve. Pra, njerëzit mezi presin të shohin ndryshime. Shpresoj se udhëheqësja e ardhshme do të ketë plan për këtë. Sfidat afatgjate, ndërkaq, janë shumë të qarta. Ato janë të natyrës ekonomike. Pastaj, korrupsioni, kapja e shtetit, sundimi i ligjit në përgjithësi do të jenë çështje që kanë nevojë për adresim urgjent. Jam i bindur se qeveria që duhet të formohet e kupton këtë dhe do të veprojë në këtë drejtim.

A mund ta adresojnë partitë fituese luftën kundër korrupsionit, varfërisë, papunësisë?

Toby Vogel: Do të jetë shumë e vështirë. Për të qenë më të sinqertë, do të ishte e vështirë për secilën qeveri, sidomos për adresimin e shpejtë të kësaj lufte, sepse shumë prej këtyre çështjeve janë të natyrës strukturore. Ju e dini se korrupsioni nuk mund të çrrënjoset brenda natës. Është thjesht e pamundur. Ajo çfarë mund të bëhet është të intensifikohet përndjekja e zyrtarëve të korruptuar, të sigurohet se dëshmitarët janë të mbrojtur… Ka shumë gjëra praktike që mund të bëhen, por kjo nuk do të thotë se korrupsioni do të zhduket brenda natës. E njëjta vlen edhe për papunësinë. Ka shumë arsye strukturore përse Kosova është ku është për momentin. Adresimi i tyre do të marrë kohë.

Vështirësi shtesë për koalicionin e ardhshëm është se dy partitë fituese vijnë nga dy spektre të ndryshme ideologjike. Do të jetë shumë interesante të shihet se si agjenda, le të thuhet, radikale e Vetëvendosjes do të mbijetojë, nëse merr pushtetin dhe është në qeveri. Një situatë e ngjashme ka qenë në Greqi, ku lëvizja e ngjashme Syriza ka marrë pushtetin tre vjet më parë dhe është detyruar të përshtatë programin e saj. Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në Kosovë. Megjithatë, qeverisë së re duhet t’i jepet kohë dhe hapësirë për të nisur adresimin e këtyre çështjeve.

Marketing