Vuçiq i reagon Pendarovskit: Korrigjimi i kufijve nuk është puna juaj

Autoriteteve serbe nuk u ka pëlqyer qëndrimi i presidentit, Stevo Pendarovski, për portalin “Express” të Kosovës, se ai është kundër korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Pendarovski është shprehur se mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për një marrëveshje kompromisi, por pa shkëmbim territoresh. Nga kabineti i presidentit Pendarovski i kanë thënë gazetës se: “Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet, që mund të çojnë në ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve dhe njerëzve, mund të kenë një ndikim të dëmshëm për rajonin dhe në përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multietnike”.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, thotë se Pendarovski me deklaratat e tij kundër idesë së ndryshimit të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve dëshiron që t’u hyjë në qejf gjermanëve, pasi, sipas tij, një deklaratë të ngjashme e ka dhënë ditë më parë ministri i punëve të jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass.

“Unë e luta Pendarovskin në inaugurim, marrëdhëniet tona janë të mira, ekonomike dhe tregtare. Unë iu luta atij si Zotit, keni bërë tashmë diçka që shumë vende do të interpretonin ndryshe, shikoni mos flisni për ato vende, ajo nuk është puna juaj.”- deklaroi Vuçiq, sipas të cilit Pendarovski e ka bërë të kundërtën.

Ndaj deklarimeve të Pendarovskit ka reaguar ashpër edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin.

“Askush nuk do ta pyet Pendarovskin për opinionin e tij rreth zgjidhjes së problemit me Kosovën”, ka thënë Vulin.

Nga kabinetit i Pendarovskit nuk dëshirojnë të komentojnë deklaratën e presidentit serb, Vuçiqit, ndërsa për qëndrimin e ministrit Vulinit, thonë se nuk meriton të komentohet.

Marketing