VV ofertë të re LDK-së, Walker: Sa më parë të formohet qeveria e re

Lidhja Demokratike e Kosovës mbrëmjen e së hënës ka pranuar një ofertë të re nga Lëvizja Vetëvendosje për bashkëqeverisje.Siç njoftojnë mediat në Kosovë, në ofertë propozohet rritje e numrit të ministrive nga 12 në 14, ndërsa LDK do të kishte gjashtë ministri dhe VV pesë, derisa minoritetet tri ministri. Konkretisht, LDK-së i është ofruar zëvendëskryeministri i parë, nënkryetari i parë i Kuvendit, 6 ministri dhe dy zëvendësministra më shumë se Vetëvendosje. Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për president, i cili sipas VV-së, plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.

Marketing

“Nëse, për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim. Nga LDK e kanë konfirmuar se kanë pranuar një ofertë të re nga Vetëvendosje dhe të njëjtën do ta shqyrtojë gjatë ditëve në vijim.

Ndërkohë, ish ambasadori i OSBE-së, Wiliam Walker, i cili ka takuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ka kërkuar që sa më shpejtë të formohet Qeveria e re e Kosovës.

“Një shtet pa Qeveri vështirë se mund të quhet shtet. Keni nevojë për një Qeveri dhe pritjet e njerëzve këtu, dhe pritjet e diasporës janë që ju keni një shans tani për të rinjtë, idetë e reja, mirëpo përderisa nuk e formoni qeverinë, asnjë prej këtyre nuk mund të ndodhë.”,- deklaroi ish ambasadori i OSBE-së, Wiliam Walker.

Walker ka takuar një ditë më parë edhe zyrtarët e LDK-së, ndërsa në Kosovë po qëndron për të marrë pjesë në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, që shënohet më 15 janar.

Marketing