Wengeri e këshillon Zidanen ta drejtojë një klub në Premierligë

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka këshilluar bashkëkombësin e tij, Zinedine Zidane, ta marrë drejtimin e ndonjë klubi të Premierligës, duke i nxitur kështu përsëri spekulimin për emërimin e ish-trajnerit të Real Madridit si trajner të Manchester Unitedit.

Marketing

Zidane tani ka mbetur pa punë pasi që u largua nga Real Madridi në fund të sezonit të kaluar, pasi u shpall kampion në Ligën e Kampionëve për tri vite radhazi dhe një herë e fitoi titullin e La Ligës, transmeton Gazeta Express.
Një numër i madh i ofertave raportohet se i janë bërë Zidanet për shkak të sukseseve që i pati me “Los Blancos” gjatë vetëm dy viteve e gjysmë në pozitën e trajnerit. Klubi për të cilin është spekuluar më së shumti është Manchester Unitedi.

“Po, pse jo? Nëse dëshiron të punosh në nivelin më të lartë, duhet të shkosh në Angli. Por tani ka disa pasiguri për shkak të BREXIT-it, pasi që nuk dihet nëse Premierliga do të vazhdojë të dominojë në aspektin financiar”, ka thënë Wenger.
“Anglia është i vetmi vend ku gjashtë klube garojnë për ta fituar kampionatin. Në të gjitha vendet mund të themi në dhjetor se kush do të fitojë, por ka edhe vende si Franca, ku fituesi dihet edhe në shtator”.

“Ai është në një pozitë shumë të vështirë, ka qenë në klubin më të madh në botë dhe ai mund të shkojë tani vetëm te klubi i dytë më i madh në botë. Kjo do të thotë se ai është para dilemës a të shkojë për një projekt afatgjatë ose ta marrë një punë më ndryshe”.