Xhaferi: “11 Tetori”, festë e rëndësishme në historinë e shtetit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me rastin e festës shtetërore 11 Tetori, Ditën e Kryengritjes Popullore ka uruar qytetarët, me ç’rast tha se kjo është ditë e rëndësishme në historinë e shtetit.

Marketing

“Kjo është dita me të cilën shënohet fillimi i luftës vendimtare kundër fashizmit – të keqes më të madhe në histori, dhe fillimi i luftës vendimtare për liri dhe dinjitet, me çka është dhënë mbështetje dhe ndihmë për fitimin e të mirës mbi të keqen në Luftën e Dytë Botërore. Festa e sotme është ditë e rëndësishme në historinë e shtetit dhe unë uroj që gjithë ta shënojmë në mënyrë të denjë dhe në ambient të madh festiv”, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Luftërat e popujve, siç tha, ndryshojnë nëpër vite, mënyrat e luftës po ashtu ndryshojnë në përputhje me sfidat bashkëkohore që i sjell zhvillimi i shpejtë teknologjik.
“Mirëpo, një gjë mbetet e njëjtë përgjithmonë dhe kjo është që kurrë mos harrojmë të jemi në anën e vërtetë, të drejtë, respektivisht të luftojmë për një jetë dinjitoze dhe njëlloj të mirë dhe cilësore për të gjithë. Bashkë të ecim rrugën e integrimit euroatlantik dhe të ndërtojmë ardhmëri stabile dhe të sigurt për gjeneratat e ardhshme, në shtet i cili do të jetë shembull suksesi në histori”, u shpreh Talat Xhaferi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.