Xhaferi: Ligji për Prokurorinë, pas shqyrtimit

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi për emisionin 10 Minuta të Televizionit 21 thotë se partia e katërt që do të vendosë mbi shkarkimin e prokurores Katica Janeva është Aleanca për Shqiptarët. Duke shpjeguar rregulloren e Kuvendit për thirrje të seancës për shkarkimin e Janevës, thotë se ende nuk e ka pëlqimin e 4 partive për konvokimin e seancës, por nuk beson se do të ketë problem për këtë.

Marketing

“Sipas parimeve bazë mbi të cilat edhe është themeluar Prokuroria Speciale gjatë biedimeve të Marrëveshjes së Përzhinos, mbi konceptin e përfaqësimit adekuat në kontekst politik dhe etnik rezulton që në këtë moment kur vendoset për shkarkimin e prokurores partia e katërt dhe si e tillë të jetë Aleanca për Shqiptarët për faktin se ka numrin e njëjtë të deputetëve edhe me dy parti tjera që janë në Parlament , pra me Alternativën dhe Partinë Socialiste të Maqedonisë”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me thirrjen e seancës plenare për propozim-ligjin për Prokurorinë, Xhaferi tha se e njëjta nuk mund të thirret pa u shqyrtuar raporti nga ana e Komisionit për Çështje Evropiane i cili duhet të raportojë për rrjedhën dhe rezultatin e punës së Komisionit.

“Unë uroj që paritë politike të kenë sensin e përgjegjësisë politike për të gjetur zgjidhje për dallimet që i kanë në kohën e duhur për të mos kontribuojnë në katrahurën juridike procedurale për atë çka është fati i vet institucionit dhe lëndët që janë në institucion”, theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Xhaferi tha se partitë politike nuk duhet të lejojnë zvarritjen e punëve dhe debateve ndërpartiake që të mos të tejkalohen afatet e parapara për Prokurorinë Speciale Publike.