Xhaferi – Marti Lang: BE të caktojë datën për negociata për Maqedoninë e Veriut

Gjatë vizitës oficiale në Konfederatën Zvicerane, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, i shoqëruar nga deputetët Xhevat Ademi, Mira Stojçevska dhe Pavlinçe Çestojnova, në cilësinë e kryetarit dhe anëtarëve të grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin Federal të Konfederatës Zvicerane, u takuan me sekretaren e përgjithshme të MPJ të Zvicrës, z-njën Marti Lang.

Marketing

Z-nja Marti Lang drejtoi urime për arritjen e Marrëveshjes me Greqinë dhe shprehu shpresë se ky përfitim historik do të merret parasysh nga ana e BE-së dhe se Republikës së Maqedonisë së Veriut do i ndahet datë për fillimin e negociatave.

Sipas saj, Republika e Maqedonisë së Veriut për momentin është vend shembull për marrëdhënie me fqinjët për zgjidhjen e situatave të vështira dhe se është në rrugë të drejtë për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019. Marti Lang po ashtu drejtoi lëvdata për Kuvendin e RMV për realizimin e projekteve në bashkëpunim me Agjencinë zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ambasadën e KZ në RMV. Ajo theksoi se kjo praktikë në KRMV është indikator se si duhet një vend ti thellojë marrëdhëniet bilaterale me aplikimin e këtyre programeve zvicerane. Duke shprehur kënaqësi për vizitën oficiale, u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhme në të gjitha nivelet.

Kryetari Xhaferi, në emër të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut falënderoi për takimin dhe për mundësinë e këmbimit të frytshëm të opinioneve. Ai theksoi se kjo vizitë e tregon interesin e përbashkët për përparim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit. Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që marrëdhëniet politike ndërmjet dy shteteve tona karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim dhe dialog të hapur në nivelin më të lartë. Ai e përshëndeti Projektin “Programi për mbështetjen e Parlamentit” për të cilin u nënshkrua Memorandum ndërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, të përfaqësuar nga Ambasada e Zvicrës dhe Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky projekt ka për qëllim të sigurojë funksionim më efikas dhe më inkluziv të Kuvendit, respektivisht, përforcim të përgjithshëm institucional, përparim të funksionit të tij ligjvënës dhe mbikëqyrës dhe mundësim të qasjes përkatëse në punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për qytetarët, për organizatat civile, sidomos për grupet e margjinalizuara, nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies së përforcuar. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me Parlamentin zviceran është pjesë e projektit “Mbështetje për themelimin dhe zhvillimin e Institutit Parlamentar”.

“Po ashtu, javën e kaluar në Kuvendin e RMV, vazhdoi Kryetari Xhaferi, u mbajt Forumi i Civika Mobilitas për bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit dhe organizatave civile. Dua të shpreh kënaqësi që isha pjesë e këtij evenimenti. Civika Mobilitas është program i Agjencisë zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, qëllimi i së cilës janë ndryshimet shoqërore në RMV, të inkurajuara nga një sektor i fuqishëm civil, qytetarë aktivë dhe bashkëpunim i mirë me autoritetet, që do të rezultojë me një administrim transparent, më llogaridhënës dhe social-inkluziv.” – thotë Xhaferi.

Marketing