Xhaferi: Ndodhemi para një momenti historik prej të cilit varet e tashmja por edhe e ardhmja

Të gjithë ne, edhe si qytetarë, a edhe si politikanë, gjendemi para një momenti historik, moment prej të cilit varet e tashmja jonë, mirëpo do të varet edhe ardhmëria jonë, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në fjalimin e Konferencës së sotme me temë “Integrimi në NATO – parakusht për siguri dhe zhvillim”, me të cilën në mënyrë formale shënohet fillimi i shkollës pesëmbëdhjetëvjeçare në të cilën pjesëmarrësit do të njoftohen me çështje lidhur me sigurinë, mbrojtjen dhe integrimet në NATO.

Marketing

“Nuk duhet t’ju rikujtoj se para njëzeteshtatë viteve, kur në referendum qytetarët u përcaktuan për Republikë autonome të Maqedonisë, deputetët e përbërjes së parë atë përcaktim e shndërruan në kornizë kushtetuese juridike dhe atëherë u përcaktuan edhe qëllimet strategjike të shtetit tonë, dhe këto janë integrimi i tërësishëm në NATO dhe BE”, tha Xhaferi.

Dhe tani, potencoi, ai moment historik është me të vërtetë para nesh. Në fund të muajit, theksoi, qytetarët në referendum do të duhet të vendosin nëse e pranojnë Marrëveshjen e Prespës, prapa së cilës qëndruan Qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.

“Unë jam i bindur se kjo Marrëveshje do të pranohet nga qytetarët, për arsye se e dinë se me këtë do të na hapen dyert për anëtarësim të plotfuqishëm në aleancën e NATO-s dhe do t’i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj, edhe si politikanë, edhe si qytetarë, besoj se me shumicë PËR në referendumin më 30 shtator, do të vërtetojmë se si qytetarë dhe si shtet me civilizim i takojmë Evropës dhe i pranojmë dhe ndajmë vlerat evropiane. Jam i bindur se shumica e qytetarëve, pa dallim në përkatësinë e tyre etnike, fetare ose politike, janë të vetëdijshëm se nëpërmjet integrimit të tërësishëm në NATO dhe në BE, sigurojmë të tashme stabile, siguri dhe ardhmëri shumë më perspektive”, theksoi kryetari i Kuvendit, Xhaferi.

Duke folur për anëtarësimin në Aleancë, ai sqaroi se anëtarësimi në sistemet kolektive të sigurisë siç është NATO-ja, nënkupton përgjegjësi të madhe dhe kontribut aktiv në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, jo vetëm në shtëpi por edhe në nivel global.

“Pjesëtarët e armatës sonë deri tani kanë marrë pjesë dhe marrin pjesë në më shumë operacione paqësore anembanë botës. Me ç’rast, armata jonë edhe pse e vogël, përsëri çdo ditë dëshmon se ka ushtarë dhe oficerë mirë të përgatitur të cilët në mënyrë efikase dhe me përgjegjësi i përmbushin detyrat e dhëna. Respektivisht, kemi armatë e cila i përmbush standardet e NATO-s”, deklaroi Xhaferi.

Në të njëjtën kohë, tha në fjalim, NATO nuk është vetëm organizatë ushtarake por, ka dimension shumë të rëndësishëm civil, i cili para së gjithash është i orientuar kah funksionimi i tërësishëm i shtetit juridik, respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, gjegjësisht respektimit të zbatimit të të gjitha standardeve demokratike mbi të cilat themelohet sot demokracia parlamentare.

Theksoi se në pajtim me programin e shkollës për dëgjuesit planifikohet edhe vizitë e institucioneve dhe prandaj, theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe ai personalisht si edhe kolegët e tij deputetë, me kënaqësi të madhe do të pranojnë takime të këtilla dhe nëpërmjet dialogut të hapur me dëgjuesit e ri do e prezantojnë punën e Kuvendit, veçanërisht në realizimin e reformave të cilat nevojiten për integrimin tonë në strukturat euroatlantike.

Marketing