Xhaferi: Para 27 viteve u vendosën qëllimet strategjike të Maqedonisë – integrimi euroatlantike

Para njëzeteshtatë viteve, pikërisht këtu në Kuvend u vendosën edhe qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, dhe këto janë integrimet euroatlantike. Është një përcaktim strategjik i cili edhe atëherë por edhe tani, gëzon mbështetje të madhe te qytetarët tanë.

Marketing

Në mënyrë deklarative, të gjitha partitë parlamentare prononcohen për integrimet euroatlantike, siç shihet edhe përmes shumicës së rezolutave dhe deklaratave të miratuara pikërisht këtu në Kuvend.

Këtë sot e deklaroi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi në fjalimin me rastin e shënimit të 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.

“Tetë shtatori, bashkë me dy Ilindenët siç u themi popullorçe, janë trekëmbëshi mbi të cilin është vendosur dhe zhvillohet Republika e Maqedonisë. Nëse gjeneratat e ilindenësve nga Ilindeni i 1903-tës dhe Ilindeni i 1944-tës luftonin guximshëm, me vendosmëri dhe në mënyrë vizionare, dhe shumë prej tyre gjatë kësaj i dhanë edhe jetët e tyre, qytetarët, më 8 shtator 1991, po ashtu guximshëm, në mënyrë vizionare dhe masovike votuan në referendum dhe u përcaktuan për Maqedoni të pavarur dhe autonome.

Dhe, deputetët e përbërjes së parë të Kuvendit, guximshëm dhe në mënyrë vizionare e shndërruan këtë vendim referendumi në kornizë kushtetuese-juridike me ç’rast Republika e Maqedonisë edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare u njoh si subjekt ndërkombëtar sovran dhe autonom.

Prandaj, më lejoni që sonte, në emrin tim personal, në emër të të gjithë të pranishmëve a jam i bindur se flas edhe në emër të opinionit të përgjithshëm, të shpreh falënderim ndaj deputetëve të përbërjes së parë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha Xhaferi.

Theksoi se në këto 27 vite të pavarësisë janë bërë shumë punë në plan të brendshëm. Sot Maqedonia është shtet i qytetarëve të barabartë, shtet në të cilin respektohen si të drejtat njerëzore individuale, ashtu edhe ato kolektive.
“Shoqëria funksionon si shoqëri multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, dhe si e atillë paraqet shembull pozitiv si në rajon, ashtu edhe më gjerë.

Prandaj, jam i bindur se edhe përskaj sfidave të mëdha nëpër të cilat kaluam, sot jemi shumë afër realizimit të përcaktimeve tona strategjike të vendosura që para 27 viteve – anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO”, theksoi Xhaferi.

Rikujtoi se me nënshkrimin e Marrëveshjes për miqësi me Republikën e Bullgarisë dhe Marrëveshjes së Prespës, “na hapet gjerësisht dera për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian”.
Ai tha se më 30 shtator, secili prej nesh ka mundësi që me votën e vet ta përcaktojë të tashmen e vet, ardhmërinë e vet si edhe ardhmërinë e gjeneratave që vijnë.

“Secili prej nesh, më 30 shtator duhet ti kujtojë paraardhësit tanë të cilët kanë përcaktuar me mençuri se çka është mirë për to, por edhe aq më shumë kanë ditur të sillen me përgjegjësi ndaj gjeneratave që kanë ardhur pas tyre. Është vërtetuar se guximi, vendosmëria, dhe vizioni janë pjesë e qenies sonë, pa dallim se cilit grup etnik i takojmë ose po cilën fe e praktikojmë.

Në këtë rast solemn, kisha dashur të shtoj edhe diçka: kemi ditur gjithmonë të respektohemi ndërmjet veti, andaj, apeloj te të gjithë ato që e realizojnë fushatën, le të jetë pozitive dhe pa ofendime dhe diskualifikime të atij që mendon ndryshe prej nesh”, shtoi Xhaferi në fjalimin me rastin e shënimit të 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.

Shprehu bindje se qytetarët më 30 shtator do të dalim në mënyrë masovike të votojmë në referendum dhe me “votën tonë do të sigurojmë të tashme stabile dhe ardhmëri shumë më të mirë, në bashkësi me popujt e tjerë evropianë të cilëve sipas kulturës dhe civilizimit u takojmë.

Marketing