Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot e pranoi Ditmir Bushatin, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, informon Koha.

Në fillim kryetari Xhaferi theksoi se takimet e këtilla në nivel të lartë janë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve miqësore dhe fqinje dhe se Republika e Maqedonisë e çmon lartë mbështetjen që Republika e Shqipërisë e jep në drejtim të integrimit të vendit tonë në strukturat euro-atlantike. Gjithsesi, në këtë plan, të dyja vendet duhet bashkë të përkrahen dhe ndihmohen nëse merret parasysh se qëllimi i gjithë rajonit është të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit konstatuan bashkërisht se të dy parlamentet duhet ta përforcojnë bashkëpunimin në nivel të grupeve për bashkëpunim, të komisioneve dhe shërbimit të Kuvendeve. Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin ndërqeveritar.

Ministri Bushati shprehu besim në realizimin e suksesshëm të referendumit të ardhshëm në Republikën e Maqedonisë me të cilin do të rrumbullakohet edhe një fazë në tejkalimin e pengesës së fundit për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

Në takim u përmendën shumë fusha në të cilat dy vendet fqinje ndajnë interesa të përbashkët me rëndësi të madhe, siç janë projektet që janë në fazë përfundimtare, respektivisht ndërtimi i rrugës Qafë Thanë – Elbasan, si pjesë e Korridorit 8, autostrada Elbasan – Dibër dhe ndërlidhja hekurudhore ndërmjet dy vendeve.