Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me ambasadoren e porsaemëruar të Australisë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Beograd, Ruth Karis Stjuart.

Në fillim të takimit, siç kumtojnë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Xhaferi i uroi mirëseardhje të ngrohtë në Republikën e Maqedonisë, duke konstatuar se kjo është reflektim i vazhdimësisë në marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe se vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Australisë, Bishop vitin e kaluar, paraqet stimul plotësues për realizimin e vizitave bilaterale të ndërsjella.

Xhaferi, po ashtu shprehu interes për përparimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në nivel parlamentar, në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe nëpërmjet grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit, të cilat edhe përskaj distancës gjeografike, themelohen në bazë të rregullt në fillim të çdo mandati parlamentar, duke e konfirmuar në këtë mënyrë interesin e deputetëve për bashkëpunim më të afërt të ndërsjellë.

Ai e informoi bashkëbiseduesen për aktivitetet rrjedhëse të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që është bartës i autorizuar i fushatës publike për referendumin e ardhshëm dhe për hapat e ndërmarra në raport me integrimet Euroatlantike të vendit në periudhën e kaluar.

Ambasadorja Stjuart, duke u falënderuar për mundësinë për këmbim të opinioneve, veçanërisht në këtë periudhë intensive të vizitave ndërkombëtare, shprehu gatishmëri për ta mbajtur shkallën e komunikimit të paraardhëses së saj dhe ta japë kontributin e saj në përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e arsimit dhe dërgimit të studentëve nga Republika e Maqedonisë në universitetet në Australi.

Ajo e theksoi rëndësinë e rezultatit pozitiv të referendumit, që është në interes edhe të Australisë.
Për Marrëveshjen me Republikën e Greqisë, theksoi se mund të shërbejë si shembull i rrumbullakimit të suksesshëm të negociatave për gjithë rajonin, ndërsa implementimi i saj mbetet kyç në muajt e ardhshëm.

Të pranishmit u pajtuan se duhet të intensifikohet bashkëpunimi në planin ekonomik në të ardhme, të lehtësohet regjimi i vizave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, ndërsa diaspora e shumtë nga Maqedonia në Australi, të shërbejë si urë në përmirësimin e lidhjeve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve.