Xhaferi uron festën e Bajramit: Të çmojmë jetën, të çmojmë dhe respektojmë njëri tjetrin

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi uron që besimtarët festën ta kalojnë me shëndet të mirë, në çaste hareje dhe gëzimi familjar, paqe shpirtërore dhe mirëqenie për të gjithë.

Marketing

“Kjo festë, si edhe gjithë festat në përgjithësi, janë ditë të cilat krijojnë një ndjenjë ndryshe te njerëzit, nxisin buzëqeshje të sinqerta dhe gëzim dhe ngrohtësi në zemër. Mblidhen anëtarët e familjeve, të shpërndarë anembanë botës, ndahen lajmet e mira, por edhe ato pikëlluese. Janë raste ku i kujtojmë ato që nuk janë më në mjedisin tonë fizikisht, por për të cilët kujtimin e ruajmë përjetësisht. Jeta është një mrekulli në vete, por di edhe të godasë fortë. Pra, pikërisht atëherë del në sipërfaqe madhështia dhe forca e bashkimit dhe bashkëveprimit të njerëzve kudo që të jenë. Jemi dëshmitarë të humbjeve të pazëvendësueshme nga KOVID-19 dy vitet e fundit, por edhe të fatkeqësive natyrore të shumta, fatkeqësi që shkaktojnë humbje njerëzore dhe materiale. Le të jetë festa e Kurban Bajramit, me gjithë simbolikën që e bart në vete, vetëm edhe një rikujtues për të gjithë ne, të çmojmë jetën, të çmojmë dhe respektojmë njëri tjetrin, çdo çast, çdo ditë, në çdo vend. Të shtrijmë dorën e mbështetjes edhe ndaj të afërmit, edhe ndaj të largëtit, ndaj fqinjit apo familjes, ndaj të njohurit apo të panjohurit, pa dallime. Para së gjithash, dhe mbi të gjitha, jemi njerëz që kanë nevojat dhe dëshirat e njëjta, të drejtat dhe obligimet e njëjta”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Marketing