Xhaferi-Varheji: Përpjekjet e përbashkëta do të rezultojnë me vendim për fillimin e negociatave në mars apo maj të këtij viti

Përpjekjet e përbashkëta do të rezultojnë me vendim për fillimin e negociatave në mars apo maj të këtij viti, u potencua në takimin e sotëm në Shkup mes kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të Veriut Talat Xhaferi dhe eurokomisarit për Politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian Oliver Varheji.

Marketing

Spikeri Xhaferi vizitën e komisarit evropian e konsideron si mbështetje të përcaktimit të fuqishëm të shtetit për të mbetur në rrugën evropiane edhe krahas ngecjes me të cilën ballafaqohet.

Ai, siç kumtojnë nga shërbimi i kuvendit për media ka shfaqur shpresën se përpjekjet e përbashkëta do të rezultojnë me vendim për fillimin e negociatave në mars ose maj të këtij viti. Ai nënvizoi se edhe krahas dëshpërimit të madh nga mosmarrja e vendimit për startin e procesit aderues pas takimit të tetorit të Këshillit Evropian, faktorët politikë në vend gjetën forca dhe arritën të mbesin të përqendruar në qëllimin strategjik të shtetit për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

Xhaferi më tutje theksoi se edhe pse arsyeja për mosmarrjen e datës qëndron në çështjet e brendshme të pazgjidhura të vetë Unionit, liderët politikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut vendosën ta kthejnë mandatin te qytetarët dhe ti thirrin të prononcohen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020, për rrugën e mëtejshme të shtetit. Në periudhën që vijon, nënvizoi Kryetari Xhaferi, përpjekjet do të drejtohen kah mbajtja e zgjedhjeve transparente, korrekte dhe demokratike.

Komisari Varheji, potencoi se vizita e tij e parë jashtë Bashkimit Evropian është pikërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut për arsye se shteti bëri më së shumti për ti realizuar aspiratat e veta për integrimin evropian dhe se në këtë mënyrë ai shpreh mirënjohje ndaj këtyre përpjekjeve. Ai informoi se plani i tij është që deri në mars të krijohen mundësi për hapjen e negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë dhe për këtë qëllim, metodologjia e re për procesin do të prezantohej deri në fund të muajit janar.

“Pakoja do të përmbajë tre shtylla dhe atë metodologjinë e procesit të përgjithshëm, hapjen e negociatave aderuese me dy shtetet dhe plan të ri ekonomik për gjithë rajonin. Komisari për Zgjerim Varheji theksoi se në Samitin e tetorit u bë gabim dhe se metodologjia e re është mënyrë për korrigjimin e këtij gabimi”, thuhet në kumtesë.

Kryetari Xhaferi e falënderoi komisarin për gjithë përpjekjet e tij për miratimin e shpejtë të metodologjisë së re dhe marrjen e vendimit të merituar për fillimin e negociatave aderuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më shpejt që mundet dhe njëkohësisht i përshëndeti edhe përpjekjet e Kroacisë e cila si një nga prioritetet e kryesimit të vet me Bashkimin Evropian e përcakton sigurimin e mbështetjes nga vendet anëtare për ndarjen e datës për shtetin tonë.

Marketing