Takim i Kryetarit Xhaferi me Radek Vondraçek, kryetar i Dhomës së deputetëve në Parlamentin e Republikës së Çekisë
Në kuadër të vizitës zyrtare të Republikës së Çekisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, realizoi takim me kolegun, nikoqirin e tij, Radek Vondraçel, kryetar i Dhomës së deputetëve në Parlamentin e Republikës së Çekisë.

Kryetari Vondraçek shprehu kënaqësinë e tij për takimin e sotëm dhe e përgëzoi kryetarin Xhaferi për votimin e suksesshëm në Kuvend për nismën për ndryshimet kushtetuese. Shfaqi shpresën se edhe gjatë fazave të mëtutjeshme do të arrihet unitet dhe mbështetje e përbashkët. Të dy bashkëbiseduesit, ndanë mendimin se një nga përgjegjësitë e politikanëve është të ngrihen mbi interesat partiake dhe të punojnë për interesat e qytetarëve.

Kryetari Vondraçek theksoi se Republika e Çekisë edhe më tej ngel partner i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë dhe do të angazhohet për finalizimin e procesit të saj euro- atlantik, ndërsa si anëtare të Grupit të Vishegradit, së bashku me Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, konsiderojnë se Ballkani Perëndimor, përfundimisht duhet të integrohet në BE.

Me qëllim t’u jepet sinjal më i fortë, vendeve anëtare të BE-së, për integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Evropian, Parlamenti i Çekisë është iniciues i etablimit të “Formatit të Sllavkovit”, ku në format 24+, së bashku me kryetarët e Parlamenteve të Sllovakisë, Austrisë, Francës dhe Gjermanisë si dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së, muajin e ardhshëm do të bisedojnë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Të vetëdijshëm për ekzistimin e euro – skepticizmit, qëllimi është të binden të gjitha vendet anëtare të BE-së, të qëndrojnë fuqishëm mbrapa aspiratave euro – atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shfaqin gjest konkret dhe të rëndësishëm për unitet dhe konstruktivitet.

Kryetari Xhaferi e njoftoi kolegun e vetë me aktivitetet në Kuvend gjatë procedurës për ndryshime kushtetuese, si dhe me proceset e integrimit euroatlantik. Theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit të Republikës së Çekisë, nëpërmjet vizitave të përbashkëta të Grupeve Parlamentare për bashkëpunim, Komisioneve për Mbrojtje, Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane.

Përvoja Çeke gjatë procesit të anëtarësimit në BE dhe NATO, janë të çmuara dhe mund të jenë shumë të dobishme për Kuvendin tonë. Besojmë në bashkëpunim të mëtejshëm miqësor dhe të hapur në nivel të delegacioneve tona në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Këshillin e Evropës, OSBE dhe të tjera, me qëllim prezantimin e suksesshëm të interesave vitale të Republikës së Maqedonisë në plan ndërkombëtar.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se do të japin mbështetje për iniciativën për bashkëpunim të mëtutjeshëm konstruktiv ndërmjet deputetëve të të dy Parlamenteve, ndërmjet Institucioneve parlamentare, të cilat janë në funksion të realizimit cilësor të funksionit deputet dhe këmbimin e përvojave nga puna parlamentare, ndarjen dhe zbatimin e praktikave të mira.

Artikulli paraprakSamet Rexhepi nga FC Shkupi në turne me reprezentacionin e Maqedonisë
Artikulli tjetër“Pajtimi”, të mërkurën Xhaferi takon koordinatorët