Xhaferri: Ndarja e të Çmimit shtetëror “22 Nëntori”,ndjenjë e krenarisë

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi rastin e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”
22 nëntor 2019
I nderuar drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, z. Asani,
I nderuar drejtor i Postës së Maqedonisë së Veriut, z. Rustemi,
I nderuar ambasador Timonie,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal vendor dhe nga jashtë,
Zonja dhe zotëri,
Më lejoni që të shpreh kënaqësinë që kam sot kur kremtojmë 111 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe unifikimin e alfabetit shqip, t’ju përshëndes në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të kolegëve deputetë dhe të shfrytëzoj rastin që të uroj ditën më të rëndësishme në historinë e zhvillimit politik e kulturor të shqiptarëve sepse, vendimet e këtij kongresi përbëjnë një nga shtyllat që ndihmuan në ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, por edhe të konsolidimit të mëtejshëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve duke e zgjedhur qartë orientimin dhe kahun që do e ndjekin në të ardhme. Dhe ky hap, sado që të duket modest për civilizimet e lashta botërore, sërish është kontribut edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit.
Me këtë rast, dëshiroj të përuroj edhe udhëheqësinë e Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, për punën e palodhshme që e bëjnë dhe për kontributin e çmuar që e japin në drejtim të pasurimit të trashëgimisë kulturore-historike të shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit, duke i ruajtur, kultivuar dhe avancuar vlerat e të kaluarës dhe vlerat që do të krijohen në ardhmëri dhe në drejtim të zgjerimit të horizontit të veprimit. Është për të përshëndetur vëllimi dhe laramania e aktiviteteve që i zhvillon ky institut, natyrisht gjithmonë në bashkëpunim edhe me institute, organizata dhe mjedise akademike vendore dhe nga jashtë por mbi të gjitha, puna shkencore dhe akademike e cila zhvillohet me zell. Me rëndësi të madhe është edhe respekti që i bëhet me rastin e këtij manifestimi disaditor ish Presidentit amerikan Villson, emrin e të cilit e mban edhe kjo sallë, për kontributin e tij pragmatik, por diplomatik dhe mbi të gjitha, vizionar. Dje u zbulua busti i tij para objektit të Komunës së Çairit, ndërsa sot, promovohet pulla postare me figurën e tij, dhe kjo është shenjë se fytyrat e dalluara që kanë lënë gjurmë në historinë e zhvillimit, rritjes dhe mbijetimit të njerëzimit, kanë vend të veçantë dhe kurrë nuk harrohen.
Zonja dhe zotëri,
Më lejoni të ndaj me ju ndjenjën e krenarisë që e ndjej për shkak të vendosjes edhe të Çmimit shtetëror “22 Nëntori” për mirënjohje ndaj njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në vend dhe që sivjet, ky çmim shkon në duart e studiuesit, historianit dhe humanist të nderuar David Hosaflok dhe veteranëve të arsimit, Kimete dhe Adnan Agai.
Të nderuar miq,
Natyrisht se kjo ngritje intelektuale e shqiptarëve mbështetet në themelet që i vunë intelektualët shqiptarë dhe rilindësit e Shoqatës “Bashkimi” të tubuar në Manastirin e Qiriazëve nga gjithë këndet e botës, vullneti, vizioni dhe zelli i të cilëve rezultoi me produktin më të çmuar për jetën dhe ardhmërinë e ndritur të një populli, respektivisht me alfabetin e njësuar i cili u bë mjet i komunikimit me shkrim ndër gjithë shqiptarët, por edhe gjuhë e standardizuar që është përkthyer dhe vazhdon të përkthehet në të gjitha gjuhët botërore. Me këtë, vazhdohet jetëgjatësia e një populli, gjegjësisht vlera dhe pesha e tij. Gjithashtu, me punën e palodhshme të institucioneve do të jemi më të lumtur të gjithë ne dhe unë uroj që puna e juaj të korrë gjithnjë suksese më të mëdha dhe më të larta.
Edhe njëherë, gëzuar 22 Nëntori dhe faleminderit për vëmendjen!

Marketing
Marketing