Xhaferri:Nuk i kemi mbyll dyert për VMRO-në, vota shqiptare të unifikohet

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në intervistë për gazetën KOHA ka folur për punën e Parlamentit pas 27 Prillit, ligjet reformuese, Ligjin e gjuhëve, vlerësimet e Komisionit të Venedikut, por jo vetëm. Ai në intervistë flet edhe për mundësinë e një koalicioni të ardhshëm të BDI-së me VMRO-DPMNE-në. Thotë se partia e tij kërkon bashkimin e opozitës shqiptare me qëllim unifikimin e votës.

Marketing

KOHA: Z. Xhaferi, shumica e qytetarëve – sipas anketave, vlerësojnë se Qeveria e kontrollon punën e Parlamentit dhe se deputetët mbrojnë interesat e partisë. Ç’thoni ju për këtë?

XHAFERI: Ka kohë është krijuar perceptimi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pozita e institucioneve është vënë në situatën mbrapsht në kuptim të funksionimit dhe roleve që kanë, në aspekt teorik dhe atë që përcakton Kushtetuta. Për fat të keq, perceptimi që bartësi i pushtetit ekzekutiv është dhe kreu i subjektit që ka marrë më tepër mandate në Parlament, nënkupton që roli i liderit në ekzekutiv të jetë më i dukshëm dhe normal goxha kohë në atë formë ka funksionuar Parlamenti. Pikërisht për këtë është bërë që Parlamenti të jetë i varur nga pjesë të vendimeve në formën si është vendosur në kontekst të buxhetimit dhe realizimit të kompetencave. Besoj që kjo përbërje parlamentare ka arritur të ndërhyjë në atë perceptim dhe ka bërë hapat e parë që në kontekstin absolut – janë bërë ato hapa. Sistemi është i tillë që deputetët janë të zgjedhur nga qytetarët dhe në esencë përfaqësojnë interesat e tyre, por përmes programeve politike, sepse partitë politike dalin përmes atij angazhimi dhe realizohet interesi i qytetarëve që kanë mbështetur atë program të subjektit që parapëlqejnë, nuk është përfaqësimi i drejtpërdrejtë, por përmes partive politike, për faktin se dhe deputetët janë të angazhuar në subjektet politike për dallim nga sistemet tjera zgjedhore. Por edhe në rajon dhe më gjerë tregojnë se nuk ka stabilitet në institucione për faktin se nuk mund të bëhet koordinimi i organizimit dhe sigurimit të asaj që është stabilitet për të bë Qeveri.KOHA: Z.Xhaferi, për tre vite Parlamenti ka miratuar mbi 300 ligje. Ndërkohë në procedurë të përshpejtuara para zgjedhjeve kemi mbi 100 ligje!

XHAFERI: Puna e Parlamentit është të miratojë ligje, të ndryshojë dhe plotësojë ato, atë punë ka dhe me Kushtetutë. Procedurat janë të parapara me Rregullore, procedura urgjente të shkurtra dhe procedura të rregullta…, problem është se ekzekutivi është ai që zbaton aspektin ligjor dhe është më i dukshëm në publik për shkak se ata bëjnë alokimin e buxhetit për atë që kanë prezantuar si programe. Perceptimi është se e gjitha varet nga Qeveria, por edhe puna e ndarjes dhe miratimit të ligjit mundëson që Qeveria të punojë. Parlamenti vetëm miraton Ligje, ndërsa ekzekutivi është ai që i zbaton. Sepse, sikur Parlamenti të mos i miratojë ato, Qeveria nuk mund të zbatojë, por puna kryesore është që ajo punë bëhet në Parlament.KOHA: Pushteti dhe opozita janë duke biseduar për të gjetur një zgjidhje për Ligjin për Prokurorinë Publike. Mund të presin qytetarët një Marrëveshje politike që ky ligj të kalojë në Parlament?

XHAFERI: Ajo është çështja që në Parlament të ketë dallime, jemi sistem plural. Edhe lufta për politikë dhe ideologji, por kjo nuk do të thotë që ajo mund të jetë e pafund. Puna e debatit në demokraci është punë e rëndë dhe nuk do mend që Qeveria ka marrë përsipër të bëjë dialog me opozitën. Nëse qëndrimet janë skajshmërish të ndryshme – nuk mund të flitet për dialog, por për ultimatum, pasi shkohet me kërkesa të skajshme. Propozuesi thotë se “ky është teksti dhe pranojeni, nuk pranojmë ndërhyrje”, opozita thotë “ne duhet bërë këto ndryshime si pozitive” dhe në ato skajshmëri nuk ka dialog, por ultimatum.

KOHA: Mos miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike deri në Samitin e Zagrebit, mund të ketë ndikim në marrjen e vendimit të liderëve evropian?

XHAFERI: Nuk ka thënë askush që miratimi i Ligjit është parakusht për euro-integrimet dhe për atë arsye nuk duhet potencuar si parakusht. Nuk do mend që për nevoja të brendshme duhet zgjidhur statusi i Prokurorisë Speciale, e cila për fat të keq, ka dëshpëruar pritjet e institucionit. Të gjithë dhanë pëlqimin me besimin se do jetë në detyrë për të zbardhur atë perceptim që ishte krijuar në masë. Për fat të keq, doli e kundërta – që Prokuroria Speciale të jetë bartëse e një procesi negativ, kuptohet me përjashtime, për arsye se nuk mund të futen të gjithë me një thes. Por, kjo ishte arsye që të gjitha pritjet të bien në ujë. Specialja në sistemin gjyqësor ekziston vetëm se gjithë korpusi duhet të funksionojë në bazë të ligjit.
KOHA: Rekomandimet e Komisionit të Venedikut për Ligjin e gjuhëve ishin se ai duhet të rishqyrtohet. Si lexohet ky rekomandim?

XHAFERI: Pikë së pari vlerësimet e Venedikut nuk janë se Ligji është në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk e ka atë kompetencë, ndoshta institucione të caktuara nuk janë të gatshme me kapacitete për të zbatuar ligjin, por nuk do të thotë se është problem ligji. Nuk ndryshohet Ligji konform institucioneve, por ato duhet të zbatojnë dhe kanë afate ligjore për të krijuar parakushte për të qenë i zbatueshëm. Nuk mendoj se ka ligje të pazbatueshme dhe gjitha institucionet duhet të krijojnë kushte për të zbatuar ato. Ligji përcakton obligimet e të gjithëve, ligji nuk do mund të miratohej po të ishte anti-kushtetutës. Të gjithë duhet të zbatojnë ligjin. Shumë përfaqësues në komunitetin maqedonas vlerësojnë se tash është koha e shqyrtimit gjeneral të Kushtetutës, të ridefinohen aspektet e organizimit në atë se çka nënkupton organizimi i ‘91’ i vendit. Nuk mendoj se ka ligje që janë ndesh me normat Kushtetuese, sepse nuk më takon mua të vlerësoj, sepse ajo bëhet në Parlament përmes komisionit ligjvënës që bën shqyrtimin e propozim-ligjeve në kontekst të harmonizimit në periudhën post ligjdhënëse, kur ligji vihet në funksion të ligjit kompetenca kalon tek gjykata Kushtetuese.

KOHA: Dilemat rreth kushtetutshmërisë së Nenit 11-a të Ligjit për falje kanë vënë në dilemë ekspertët juridik mbi vendimin e ish-presidentit Ivanov për falje të personave të përfshirë në vepra dhe afera korruptuese. Çfarë pritni ka kjo iniciativë? Konfirmim të vendimit të Ivanovit, apo ndonjë moment të ri…

XHAFERI: Nëse i referohemi asaj iniciative, duhet parë procedurat paraprake që kanë reflektuar ligji për falje, është miratuar në vitin 1993 dhe në brendi të atij ligji ka qenë e inkorporuar edhe norma e nenit 11 që parasheh që situata të veçanta në përjashtim të procedurave Presidentit i jepet mundësi të bëj falje pa procedura nëse është në interes të shtetit. Ajo normë ligjore paraprakisht deri në vitin 2009 disa herë është shfrytëzuar nga ish-presidentët në rastin e kryeministrit Zaev sa ka qenë kryetar komune në Strumicë. Shumica parlamentare e atëhershme, duke u nisur nga kjo normë – për shkak të paqartësive se çfarë nënkupton interesi i shtetit kur kemi falje pa procedurë, është fshirë neni 11 dhe si i tillë tashmë nuk ekziston. Ndërkohë që Kushtetuesja e abrogon ligjin e 2009-ës për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje, ndërsa me abrogimin e ligjit nuk nënkuptohet edhe kthimi i normave ligjore që janë fshirë, sepse nga 2009 deri në 2016 – efektet juridike mbeten në fuqi dhe nuk fshihen. Me ligjin e 2009-ës është larguar nga sistemi ligjor neni 11 dhe efektet e vendimit të gjyqit Kushtetues mbeten në fuqi nga miratimi e këndej – që nënkupton se gjitha pasojat që ka prodhuar ligji i 2009-ës, mbeten në fuqi në tërësi. Sikur Kushtetuesja të bënte anulimin e ligjit 2009, efektet janë tjera. Me automatizëm anulohen dhe gjitha efektet në aspekt retroaktiv dhe në atë situatë do ishte rikthyer para miratimit të ligjit. Vendimi i Ivanovit ka qenë i jashtëligjshëm dhe kjo është çështje që duhej kuptuar më drejtë se ai nuk mund të prodhojë efekte se është i kundërligjshëm.

KOHA: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, sipas të gjitha paralajmërimeve, është punë e kryer. Mundësinë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian e presim nga Samiti i Kroacisë vitin e ardhshëm. Ndërkohë të gjithë jemi dëshmitarë se reformat po ngecin! Ka të bëjë kjo me mungesë vullneti politik dhe institucional?

XHAFERI: Çështja e NATO-s llogaritet si e kryer në aspekt juridik. Duhet pritur ratifikimin e protokolleve si tek Spanja që nuk ka ende Qeveri e që të mundemi përfundimisht ta përmbyllim vendimin për pranim të ftesës, dhe me atë zyrtarisht bëhemi vend anëtar i NATO-s. Konteksti i Bashkimit Evropian, vlerësimi i institucioneve përkatëse me raportet e vlerësimit është se ne kemi përmbushur kushtet për anëtarësim, ndërsa çështja e mosdhënies së datës për fillim të bisedimeve nuk ka të bëj me atë se kemi mbush kushtet apo jo, por me vlerësimin e Këshillit të Evropës. Republika e Maqedonisë së Veriut ka përmbushur të gjitha parakushtet që janë kërkuar, problemi qëndron tek dallimet brenda BE-së. Kërkesa e Francës përmes presidentit Makron është të bëhet ndryshimi i procedurave për anëtarësim të anëtareve të reja. Nuk ka vërejtje për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për konkluzat si vlerësim për pakon e programit reformues në gjyqësorë dhe siguri, konstatimi është që Maqedonia e Veriut ka përmbushur kërkesat, dhe vendimi vlerësohet mbi atë raport. Metodologjia e zhvillimit të bisedimeve me anëtarët e ardhshme është reformimi i brendshëm i BE-së me “Non Paper” të Makronit, që vlerësohet në BE dhe gjithë vlerësimet e anëtareve janë të ndërmarrin masa që deri në fund të janarit metodologjia e bisedimeve paraaderuese të ndryshohet konform asaj që propozon Franca. Pritjet janë që në mars ose në maj të jetë momenti kur palët të dakordohen brenda BE-së, që të hapen bisedimet. Ne kemi kryer detyrat tash ato e kanë në dorë.

KOHA: Nga ardhja Juaj në krye të Parlamentit, ky institucion ka kaluar nëpër shumë turbulenca dhe sfida. Ka përmbush Parlamenti misionin e tij gjatë vitit 2019? Si i keni punët me VMRO-në!

XHAFERI: Në kontekst verbal në publik, deputetët e VMRO-së vazhdojnë me qëndrimin se nuk njohin kryetarin e Parlamentit, ndërsa në aspekt funksional – kemi komunikim të përditshëm. Ndryshe nuk di si të sqaroj, edhe nga 27 prilli 2017 e këndej nëse referoheni deklaratës time, mendoj se kam arritur që atë deklaratë dhe të zbatoj. Parlamenti ka funksionuar institucionalisht në formën si parapëlqehet të funksionojë, në debatin brenda Parlamentit dhe prezencës së opozitës në punime dhe përfundimisht ai vlerësim në progres raportin e KE-së për pjesën e Parlamentit është e vlerësuar pozitivisht. Në formën më të mirë të mundshme është vlerësuar. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut vlerësohet si i vetmi Parlament në rajon si funksional në formën si ka funksionuar. Ky nuk është vlerësim i imi, por e them atë që vlerësojnë institucionet evropiane, pasi me punën që kemi bërë – me përkushtim kemi arritur që Parlamenti të jetë funksional me debate të ashpra për të pasur kundërthënie me argumente dhe kundër argumente.

KOHA: E synon ende BDI postin e presidentit?

XHAFERI: Përcaktimet programore që ka pasur BDI i ka zbatuar dhe jorastësisht ka pasur mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje. BDI nuk është përcaktuar, me thënë konkretisht, por përcaktimi i përgjithshëm ka qenë që një nga postet e rëndësishme duhet të udhëhiqet nga shqiptarët dhe ka zbatuar. Dikur ishte tabu Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, ajo tabu u thye. Në përcaktimet programore të BDI-së, askund nuk është theksuar institucioni përkatës, në vazhdimësi është theksuar se një nga këto institucione duhet të udhëhiqet nga shqiptarët. Postin e kryeministrit e përcakton Kushtetuta me mandatet në Parlament. Presidenti vjen nga zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe në Parlament – shumica zgjedh kryeparlamentarin. Më i përafërt ka qenë ky post. Nëse në zgjedhjet e drejtpërdrejta në këtë periudhë nuk ka ekzistuar vullnet në shumicë për të pretenduar që në zgjedhje të mbështetet një subjekt tjetër për çështje tjera, duhen ndryshime që duhet të pasojnë me ndryshim të Kushtetutës për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, por për procedurat dhe mënyrat e zgjedhjes aktuale – më realja është posti i kryeparlamentarit.
KOHA: Është ende përjashtuese për BDI-në, VMRO-DPMNE si partner koalicioni? Dhe a frikësohet BDI nga bashkimi i opozitës shqiptare?

XHAFERI: Nuk kam dëgjuar që dikush nga subjektet politike, ato aktualisht në jetën politike parlamentare të jetë përjashtues për dikë në subjektin shqiptar. Ato çështje i përcaktojnë shqiptarët që japin vullnet. BDI ka apeluar gjithmonë që opozita të jetë sa më e bashkuar, sepse ndasitë që janë bërë në subjektet politike ka rezultuar me humbje mandatesh edhe lideri dhe bartësit tjerë të BDI-së kanë deklaruar që opozita duhet bashkuar për interesat më të larta dhe të garojmë në dy blloqe. Lideri Ahmeti e ka thënë se janë shumë dy parti në bllokun shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, por se edhe një parti është pak. Kjo ka qenë alegori që e ka përdorur që opozita të bashkohet, nuk është puna e perceptimit, kush ndihet favorite dhe kush rrezikohet. Filozofia e kësaj është që shqiptarët të jenë sa më të bashkuar për interesa mbipartiake, interesi mbipartiak është mos humbja e mandateve siç kemi humbur. A ka humbur BDI apo subjektet tjera, është irelevante. Në esencë kanë humbur ato mandate shqiptarët qofshin në favor të BDI-së apo cilido tjetër subjekt. Thirrja e liderit Ahmeti ka qenë që opozita të jetë më e bashkuar që numrat të reflektojnë në fund me votën e tyre. Ai që do ketë shumicën dhe obligimin për të bartur procesin – edhe duhet të pajtohet me rolin e opozitës, nuk ka tjetër definicion në këtë drejtim. Rezultati do të shihet kur të numërohen votat, sepse asnjë subjekt nuk pretendon të jetë në opozitë, por bartës i proceseve vendimmarrëse të pozitës, sepse për këtë shkak garohet. Askush nuk garon të jetë në opozitë.

Marketing