Xheparoshët në aksion, frikë dhe pasiguri tek qytetarët

Qytetarët ankohen për shtimin e vjedhjeve gjatë udhëtimit të tyre nëpër autobusët urban.

Marketing

Ata thonë se caku më i shpeshtë i hajdutëve janë vendet e mbingarkuara me njerëz siç janë stacionet e autobusëve apo edhe vetë autobusët. Xheparoshët përdorin trikun e njëjtë, duke shtyrë viktimat dhe duke i rrethuar, arrijnë që nga xhepat e tyre të nxjerrin kuletën, celularët apo edhe sendet me vlerë. Qytetarët madje thonë se për shkak të rritjes së rasteve të vjedhjeve të tilla, ndjejnë pasiguri për të shfrytëzuar transportin publik.

“Ne aty nuk jemi të sigurt duke e pasur parasysh se çfarë ndodhë. Ka lloj lloj njerëz që udhëtojnë me autobus. Nuk e di, nuk mund të ndjehemi të sigurt”.

Sipas qytetarëve, cak i xheparoshëve janë pensionistët dhe personat në moshë, që nuk janë të aftë të vetëmbrohen apo reagojnë.

“Kur ka më shumë lëvizje, kur lëvizin pensionistët vërehet më shumë, pra vidhet më shumë në atë periudhë. Kemi bërë denoncime por nuk janë ndërmarrë masa”.

Disa prej qytetarëve që shfrytëzojnë vazhdimisht transportin publik madje kanë qenë edhe dëshmitarë të vjedhjeve të ndryshme.

“Po po, hajdutët gjithmonë punojnë nëpër autobusë na të gjithë e dimë. Unë e kam parë se qysh ja nxori kuletën nga xhepi, kam reaguar ndërsa pas shpine e ka ruajtur tjetër kush. DMTH janë të organizuar?! Janë të organizuar!”.

“Në Biz Pazar në stacionin e autobusit, një grua më e vjetër përderisa po hynte në autobus, çantën e kishte të hapur, një djalë i ri, ia futi dorën në çantë dhe nuk shikonte në çantë por anash, unë e pashë dhe ia kapa dorën e kur ai më pa iku”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë të njoftuar me rastet e tilla të vjedhjeve por theksojnë se për dallim nga e kaluara ka rënie të numrit të vjedhjeve nëpër autobusët urban. Neni 235 i Kodit Penal, parasheh dënim me para ose me burg deri në 3 vite për vjedhje xhepi. Përveç veprës, Kodi Penal parasheh dënim edhe për tentim vjedhje të llojit të tillë.