Zgjedhjet/ ASh-AA: Lojërat e fatit, larg vendbanimeve

Koalicioni Aleanca për shqiptarët –Alternativa, përmes një proteste të forumeve rinore të dy partive, në Shkup u ndalën te çështja e kazinove.

Marketing

Nga Forumi Rinor theksuan se në programin e tyre ka zgjidhje për këtë dukuri devijante, pasi objektet e lojërave të fatit do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje, pasi siç thonë hotelet garantojnë që lojërat e fatit nuk do të jenë afër vendbanimeve dhe se nuk do të jenë të qasshme nga secili.

Njëherit akuzuan partitë në pushtet se me vite nuk kanë arritur të bëjnë zgjidhje për këtë dukuri shkatërruese të shoqërisë, ndërsa përmenden edhe zgjidhjet që kanë bërë në lidhje me këtë problem vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Kosova.

“Maqedonia ka filluar t’i hap kazinotë në gjitha anët, shtetet e rajonit dhe të botës kanë filluar që t’i mbyllin ato. Në vazhdimësi i kemi mbështetur kërkesat e qytetarëve dhe protestat masive që kërkojnë largimin e kazinove që rrezikojnë edhe ardhmërinë e fëmijëve edhe të rriturve.”,- u shpreh Liridon Baftiu nga ASH-AA.

“Ne premtojmë se me ne në qeveri lojërat e fatit do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje, sepse hotelet me 5 yje garantojnë që e para, lojërat e fatit të jenë larg vendbanimeve, dhe e dyta, se ata nuk mund të jenë të qasshme nga çdokush dhe kjo do ta ndalë në mënyrë të kënaqshme këtë fenomen devijant.”,- theksoi Liridona Emini nga ASH-AA.

Kanë vazhduar ndërkohë edhe takimet e kandidatëve për deputetë të Koalicionit Aleanca për Shqiptarët – Alternativa, të cilët kanë takuar banorët e zonave zgjedhore ku kanë prezantuar ofertën e tyre politike. Kandidati për deputet i këtij koalicioni, Remzi Mehmedi, porositi aktivistët që t’u shmangen provokimeve të kundërshtarëve politikë dhe të zhvillojnë fushatë vetëm për të prezantuar ofertën ndryshe të koalicionit. Ai tha se kjo eufori dhe ky entuziazëm i qytetarëve i jep forcë këtij koalicioni.

“Sepse ne nuk kemi dalë në skenë për të qenë kundër dikujt. Kemi dalë për të qenë pro një shteti të drejtë, kemi dalë për të qenë pro një shteti me arsim cilësor, me shëndetësi cilësore dhe shumë çështje të tjera. Çdo provokim që mund të vijë nga kundërshtarët, sado i ulët të jetë, mos iu përgjigjni me të njëjtën monedhë, sepse dëshirojnë të na bëjnë si veten. Përgjigjuni duke trokitur në një derë të re për të kërkuar një mbështetje plus në emër të ndryshimit.”,- tha kandidati për deputet – Koalicioni ASh-AAA, Remzi Mehmedi.

Po ashtu bartësi i listës në njësinë zgjedhore 1 nga Koalicioni Alternativa – ASH, Skender Rexhepi – Zejdi, realizoi takim me banorët në fshatin Rahçe të komunës së Sarajit. Me këtë rast ai theksoi se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë koalicioni i sigurt fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi që shqiptarët nuk kanë më alternativa dhe zgjedhje tjera.

Nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa theksojnë se programi i tyre është i pasur, konciz dhe i realizueshëm. E rëndësishme, sipas tyre, është se pas këtij programi qëndrojnë figura të pakromprometuara dhe të pakorruptuara.

Marketing