Ylber Sela vizitë në Galerinë e Arteve

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, me
bashkëpunëtorët e tij sot e vizitoi Galerinë e Arteve “Stacioni i Vogël”
në Shkup, ku u prit nga drejtoresha e këtij institucioni, Dita
Starova-Qerimi. Në këtë takim u fol për procesin e zbatimit të
dygjuhësisë.
Meqë tanimë në tërësi ka përfunduar faza e parë e zbatimit të
dygjuhësisë në këtë galeri, dy homologët në fjalë biseduan kryesisht për
fazën e dytë, e cila do të fillojë të zbatohet prej muajit janar të
vitit të ardhshëm. Me këtë rast drejtoresha Dita Starova-Qerimi foli
konkretisht për përgatitjet që po bën lidhur me jetësimin e fazës së
dytë në praktikë, për angazhimin e kuadrit të përkthyesve dhe lektorëve,
për mjetet e nevojshme që duhet të ndahen lidhur me përkthimin e
katalogëve dhe botimeve të tjera në gjuhën shqipe etj.
Po ashtu, nga ana tjetër edhe drejtori Ylber Sela i dha mbështetje të
plotë për sa i përket punës që po bën ajo në këtë institucion,
konkretisht në fushën e përkthimit dhe korrigjimit të teksteve për
nevojat e Galerisë së Arteve.
Në fund, drejtori Ylber Sela e përgëzoi homologen e tij për punën e
suksesshme që po bën në Galerinë e Arteve, gjë që u vërejt edhe sot në
zbatimin e dygjuhësisë së plotë në këtë institucion, që nga tabelat në
hyrje, logoja, vulat e deri te aktet, shkresat e udhëzimet e ndryshme
brenda galerisë.

Marketing
Marketing