Zaev: 76 deputetë do mbështesin ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Zoran Zaev ka njoftuar se 76 deputetë i kanë konfirmuar se do të mbështesin fazën e fundit të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, por ai është optimist se ky numër do të rritet edhe më shumë.

Marketing

Zaev pret që pro ndryshimeve të votojnë edhe deri në 85 ose 90 deputet pasi që të shqyrtohen të gjitha vërrejtjet dhe sugjerimet e deputetëve të cilët kanë paralajmëruar amendamente ndaj propozim amendamenteve kushtetuese.

“Aq kanë konfirmuar nga ata që kam biseduar, kjo nuk do të thotë që të tjerët refuzojnë. Unë besoj se do të jenë 85, 90, dhashtë Zoti edhe më shumë, ky është qëllimi, andaj edhe kemi një proces të këtillë inkluziv. Kam thënë se cilat janë shkaqet, tani pasojnë amendamentet e deputetëve ndaj amendamenteve kushtetuese, me siguri do të duan të mbindërtohen, të japin komentet e tyre dhe në përputhje me to kur të përfundojnë procedurat do ta thonë qëndrimin e tyre.

Unë jam mirënjohës për të gjithë që kontribuojnë pozitivisht, sepse kjo e bën edhe për mua si udhëheqës i këtij procesi, por edhe për qytetarët, më të qartë procesin që vjen, por mbetem optimist se të paktën dy të tretat ose 80 deputet do të ketë në seancën e 9 janarit”, deklaroi Zaev.

Ndryshimet kushtetuese më 9 janar hyjnë në fazën finale apo në lexim të tretë ku do të duhet që të votohen me të paktën 80 vota. Gjatë debatit në lexim të parë dhe të dytë, shumica parlamentare dhe qeveria kanë pranuar vërejtjet dhe amendamentet e tetë deputetëve nga grupi i pavarur parlamentar nga VMRO-DPMNE.

Gjithashtu janë pranuar edhe amendamenti i Aleancës për Shqiptarët për përfshirjen e Kosovës në Kushtetutë si dhe një amendament me të cilin definohet se shtetësia maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut nuk definon përkatësinë etnike të qytetarëve.

Marketing