Vetëm një vit pasi e nënshkruam Marrëveshjen për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi, tashmë ndjehen rezultatet pozitive në marrëdhëniet tona të ndërsjella, ka deklaruar kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev sot pasdite në Bllagoevgrad, ku u shënua 115 vjetori i kryengritjes së Ilindenit.

Duke iu referuar shërbimit për informim të Qeverisë bullgare, Agjencia bullgare e lajmeve BTA transmeton se Borisov ka shprehur kënaqësinë nga fryma e re e bashkëpunimit mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë pas nënshkrimit të Marrëveshjes.

Sipas tij, tashmë janë të dukshme efektet pozitive nga marrëdhëniet e këmbimit tregtar dhe turizmit mes dy vendeve.
Në takim, gjithashtu, është biseduar për gjendjen në pikat e kontrollit në kufijtë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, për përmirësimin e punës së tyre dhe për hapjen e pikave të reja.

Të dy kryeministrat pasdite morën pjesë në shënimin e 115 vjetorit të kryengritjes së Ilindenit para përmendores së Goce Dellçevit në sheshin “Maqedonia” në Bllagoevgrad. Ky është festimi i dytë i përbashkët pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë para një viti.

Në shënimin e Ilindenit morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ndërsa nga ana bullgare – ministri i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov dhe prefekti i Bllagoevgradit Atanas Kambitov.