Zaev: Do t’i marrim parasysh kërkesat e shqiptarëve

Grafë e veçantë për përkatësinë etnike nëpër dokumentet identifikuese, ishte një nga kërkesat e parashtruara në diskutimin e dytë publik për amendamentet kushtetuese, ku marrin pjesë edhe qytetarët.

Marketing

Kryeministri Zoran Zaev tha se kjo ide është e pranueshme duke shtuar se do të inkurajohen edhe ekspertët që kur të ndryshohen pasaportat dhe dokumentet tjera të identifikimit, të hapet një grafë e veçantë që do të përcaktonte përkatësinë etnike të qytetarëve të Maqedonisë.

“Për nacionalitetin, përkatësinë etnike nëpër pasaporta, ide e shkëlqyer, dallimi i lehtë, do të mbetet shtetësia por do të ketë edhe grafë të etnicitetit, secili të përcaktohet, ne nuk kemi problem brenda, e askush nuk do të ketë problem me të drejtën tonë të vetë përcaktimit ose vetë identifikimit. Ide e shkëlqyer, duhet ta lëshojmë, ta shohim se çfarë do të thonë ekspertët, nëse nuk janë mjaftueshëm të guximshëm t’i inkurajojmë, kur të ndryshohen pasaportat, dokumentet , një grafë ta hapin, dhe do të përcaktohemi, ndoshta edhe dua vetëm të jem qytetar i këtij shteti, por nëse dua ta kem si opcion, përse të mos e kem. Pozitivisht e pranoj si ide, nuk kam asnjë paragjykim për këtë çështje, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Profesori universitar Temellko Ristovski propozoi që pika e tretë e amendamentit të katërt, të fshihet. Kjo dispozitë e obligon Republikën që të kujdeset për anëtarët e popullit maqedonas që jetojnë jashtë shtetit, gjë që sipas Ristovskit do të ishte diskriminues për përkatësitë tjera etnike që jetojnë në Maqedoni.

“Duhet të mbajmë llogari se Maqedonia është shtet multinacional dhe aty nuk jetojnë qytetarë që i përkasin vetëm popullit maqedonas, por edhe qytetarë të nacionaliteteve të tjera. Për këtë arsye kjo dispozitë, për hir të së vërtetës është diskriminuese dhe si e tillë nuk ka vend në një kushtetutë bashkëkohore siç duam të jetë dhe siç duhet të jetë”, deklaroi Ristovski.

Në diskutimin e dytë publik që u mbajt në universitetin FON foli edhe rektori i këtij universiteti Nano Ruzhin, ai ofroi mbështetje për procesin e ndryshimeve që vijnë si reflektim i Marrëveshjes së Prespës, duke e cilësuar si një marrëveshje shumë të suksesshme.

Ky ishte diskutimi i dytë nga 5 gjithsej në të cilën diskutohet me ekspertët dhe qytetarët lidhur me draft amendamentet për ndryshime të Kushtetutës së vendit. Diskutimi i parë u mbajt mbrëmë në godinën e Qeverisë. diskutimi i tretë do të realizohet nesër në godinën e ASHAM ndërsa i katërti dhe i pesti do të realizohen në Shtip dhe Tetovë.

Debati publik zgjat pesë ditë, ndërsa sipas rregullores pas përfundimit të debatit në afat prej dy ditësh duhet të merret raporti nga debati publik dhe të formulohet teksti përfundimtar i amendamenteve, të cilat më pas do të dorëzohen në Kuvend, ku deputetët do të kenë mundësi të bëjnë amendamente ndaj amendamenteve.

Marketing