E vetmja parti që tani është para nesh është Maqedonia. Ne nuk kemi parti të tjera. Këto nuk janë zgjedhje, këtu nuk vendosim për asnjë individ, vendosim për Maqedoninë tonë, i porositi  sonte kryeministri Zoran Zaev qytetarët e Demir Kapisë.

Në tribunën e organizuar nga koalicioni  “Dil për Maqedoninë Evropiane”, Zaev përsëriti edhe një herë se kjo që kemi është një mundësi historike, por se vendimi varet nga populli.

“Maqedonia e meriton që pas 27 vjetësh, të jetë një vend normal ku do të jetojmë në mënyrë paqësore dhe të qetë, të kemi një jetë me më shumë perspektivë dhe më dinjitoze, me të rinj të punësuar, me  arsimim dhe shëndetësi  më të mirë, me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë”, tha Zaev.

Ai shtoi se nëse votohet “Pro” në referendum do të ndikohet që të hapen të gjitha perspektivat e mundshme për shtetin dhe nëse votohet  “kundër” atëherë do të na vijë keq, ndërsa ata që do të bojkotojnë, siç tha ai, do të turpërohen.

Edhe një herë ai përsëriti se marrëveshja me Greqinë është e drejtë dhe korrekte dhe se identiteti dhe gjuha maqedonase është konfirmuar.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm të cilin nuk duhet ta humbasim dhe i cili kërkon përgjegjësi.