Pas Informacioneve në disa media se Përfaqësuesi i Përhershëm rus në BE, Vladimir Çizov ka ftuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të hyjnë në Unionin Ekonomik Euroaziatik, nga Qeveria thonë se nuk kanë marrë një ftesë të tillë duke shtuar se interesat strategjike të vendit janë anëtarësimi në NATO dhe BE. Në një konferencë për media në Shkup këtë e ka përgënjeshtruar edhe Kryeministri Zaev.

“Nuk ka një ftesë të tillë, me siguri se ka një membranë mbrojtëse rreth Qeverisë që na mbron nga ftesa të këtilla. Jo. Nuk ka ftesë të tillë. As që më shkon ndërmend të kycemi dhe shpresoj se një ftesë e tillë nuk do të arrijë.” – tha Zoran zaev, Kryeministër i RMV-së.

Rreth vendimit të Kryeparlamentarit Talat Xhaferi që të shpërndajë parlamentin më 11 Shkurt, Kryeministri Zaev ka theksuar se ka kohë të mjaftueshme që Protokolli i NATO-s të arrijë në Parlamentin e Shkupit, para se ai të shpërndahet.

“Besojmë se do të arrihet kjo kohë. Ne patëm nderin që SHBA-të që zakonisht të fundit e ratifikojnë protokollin tashmë këtë e përfunduan. Vendi po bën përgatitjet dhe po bëjmë gjithcka që institucionet tona, Parlamenti mos të jenë pengesë për ratifikimin e protokollit.” – vlerëson Zaev.

Ndryshe, siç njoftojnë mediat Përfaqësuesi rus në BE, Vladimir Çizov ftesën për kyçje në Unionin Ekonomik aziatik, Shkupit dhe Tiranës, ua ka dërguar gjatë Forumit Ekonomik Euroaziatik në Verona të Italisë, kjo pasi të dyja vendet nuk morën “dritën jeshile” nga Brukseli për hapjen e negociatave aderuese me BE-në.

evn