Pas takimit të mbrëmshëm të partive, të cilat përkrahin Marrëveshjen me Greqinë dhe suksesit të referendumit të ardhshëm, kryeministri Zoran Zaev pret që të rritet dhe të zgjerohet koalicioni “Së bashku për Maqedoninë Evropiane”.

“Qëllimi i këtij koalicioni është të krijojë një lëvizje për të gjithë ata që janë për një referendumi të suksesshëm, për të ftuar qytetarët për të votuar për Maqedoninë Evropiane, për të ardhmen dhe për të dhënë mbështetje për proceset integruese të Maqedonisë në NATO dhe në BE, duke mbështetur Marrëveshjen me Greqinë”, iu përgjigj kryeministri Zaev pyetjeve të gazetarëve sot në qeveri.

Ai theksoi  se është parashikuar që fushata të zhvillohet në një atmosferë më relaksuese dhe të jetë më tërheqëse për qytetarët. Ai i kërkoi falje partive që nuk u ftuan dje dhe theksoi se është lënë mundësi e hapur që të bashkangjiten edhe parti të tjera.

“Gjithkush do të ftohet. Edhe subjekte të tjera politike më të vogla për t’u inkuadruar. Do të doja gjithashtu dhe do të ishte mirë nëse Maqedonia është plotësisht e bashkuar për këtë fushatë dhe prandaj thirrja për t’u bashkuar mbetet e hapur, madje edhe ndaj opozitës. Nëse jemi të gjithë rreth NATO-s dhe BE-së, ne do të kontribuojmë për suksesin e referendumit si në lidhje me votimin “pro”, por edhe në arritjen e censuzit, që është mbi 900 mijë votues që ne duam t’i motivojmë për të dalë në referendum”, tha Zaev.

Sipas Zaevit, krijimi i kësaj lëvizje nënkupton racionalizimin e fondeve. Tetëdhjetë milionë denarë që i jepen Kuvendit si institucion kompetent  për hapjen e procedurës së referendumit do të ndahen sipas numrit të përgjithshëm të mandateve dhe për secilin, siç përcaktohen “pro” ose “kundër”.

Për sot në orën 14:00 në Klubin e Deputetëve, kryeministri Zaev do të paralajmërojë edhe fillimin e fushatës për referendumin që do të mbahet më 30 shtator. Përveç Zaevit, është paralajmëruar fjalim edhe i liderit të BDI-së, Ali Ahmetit dhe aktores Sabina Ajrulla.