Zaev: Marrëveshja e Prespës edhe njëherë i konfirmon rrënjët tona sllave!

Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për televizionin grek ”Alfa” ka pranuar se gjuha maqedone ka prejardhje sllave dhe se si komb rrënjët i ka tek historia dhe kultura sllavo- jugore.

Marketing

Sipas tij kjo është verifikuar që nga viti 1974 në Kombet e Bashkuara si pjesë e gjuhëve sllavo- jugore dhe se Marrëveshja e Prespës edhe një herë vërteton rrënjët sllave. Është, madje hera e parë që kryeministri Zoran Zaev del hapur me një qëndrim të tillë për origjinën dhe kombësinë maqedone, pra sllave, gjë për të cilën MEDIAL.mk kishte shkruar në vazhdimësi, tash e dy vjet.

“Populli me siguri që nuk është, këtu më së shpeshti janë politikanët, kjo ndodh në shumë vende dhe kjo ndodhe edhe tek ne. Me tentimin që të ndërrohet dhe të shtrembërohet e gjithë historia jonë edhe atë përmes vjedhjes së historisë botërore, ballkanike dhe të huaj e me këtë duke e prezantuar si të tonën dhe duke mos pasur parasysh se si kjo gjë ndikon tek fqinjët tanë u shkaktua një gjendje ku plotësisht të hidhërohemi me të gjithë fqinjët tanë nga të cilët jemi të rrethuar, por njëkohësisht me këtë gjë ne mbyllëm të gjitha proceset e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, ka thënë Zaev në intervistën për Televizionin grek “Alfa”.

“Gjuha jonë ka prejardhje sllave dhe është pjesë e grupit të gjuhëve sllavo-jugore dhe kjo gjuhë është e verifikuar që nga viti 1974 në Kombet e Bashkuara dhe është e saktë që është verifikuar si pjesë e gjuhëve sllavo-jugore. Është e vërtetë se Marrëveshja e Prespës edhe njëherë e mirë konfirmon rrënjët e vërteta sllave dhe pikërisht këtu është dallimi mes popullit maqedonas me prejardhje sllave dhe popullit maqedonas të Greqisë i cili në mënyrë definitive ka prejardhje antike me histori helene dhe me këtë bëhet dallim i mirë dhe i saktë mes këtyre dy popujve me qëllim të ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe sigurimin e një ardhmërie të sigurt”, shton Zaev.

“Ne jemi një komb i ri i cili rrënjët i ka tek historia dhe kultura sllavo-jugore e cila përfundimisht përshkruan më së miri edhe gjuhën tonë si gjuhë maqedonase, por pjesë e grupit të gjuhëve sllavo-jugore”, nënvizon tutje kryeministri Zoran Zaev.

https://www.facebook.com/medial.mk/videos/912878379091287/

Marketing