Koalicioni “Bashkë PËR Maqedoni evropiane” me tribunë me qytetarët nga Koçani kanë filluar fushatën nëpër qytete të vendit lidhur me prononcimin për referendumin e ardhshëm.
Në tubimin, paraqitje ka pasur kryeministri Zoran Zaev i cili ka folur për perspektivat e reja ekonomike, atë të sigurisë dhe identitare të cilat i hapen vendit pas 27 vitesh nga pavarësia e saj.

“Deklarimi ‘për’ në referendum nënkupton hapjen e dyerve për hyrje në tregun evropian pasi me programin deri në 2020, BE do të dhurojë çdo ditë nga 260 mijë euro në Maqedoni.

Pesëmbëdhjetë milionë euro në vit për rrugë, hekurudha, ura, gazifikim, 18 milionë euro për bujqësinë e Maqedonisë, 8.5 milionë euro për përmirësimin e vendkalimeve kufitare, 15 milionë euro për reforma në gjyqësi. I gjithë buxheti është një miliardë e 280 milionë euro vetëm për shtetin tonë në nivel vjetor”, ka thënë Zaev.

Duke folur për marrëveshjen me Greqinë, Zaev ka thënë se disa politikanë me rejting të papërfillshëm, tentojnë të mjegullojnë popullin se do ta humb identitetin dhe gjuhën maqedonase, por secili mund të lexojë se çka është nënshkruar në dokumentin që edhe fqinji jugor e pranoi.

“Obligimi jonë është të sigurojmë stabilitet, siguri dhe të ardhme ekonomike të vendit për ne dhe gjeneratat e ardhshme dhe prandaj pres sukses në referendum. Detyrë e secilit qytetar është të del dhe të votojë, qoftë të prononcohet edhe ‘kundër’, pasi secili që do të mbetet në shtëpi apo bojkotojë, nënkupton se është kundër Maqedonisë dhe të ardhmes së saj.

Me nënshkrimin e marrëveshjes për miqësi me Bullgarinë dhe me marrëveshjen për emrin me Greqinë fitojmë dy miq të rinj që në vend se të jenë pengesë, tani fuqishëm na përkrahin për hyrje në familjen evropiane dhe në NATO”, ka thënë Zaev.
Ndryshe, Zaev në tridhjetë ditët e ardhshme në tribuna të njëjta nëpër qytete tjera do të hap gjitha çështjet dhe dilemat me rëndësi rreth asaj se çka fiton Maqedonia me prononcimin pozitiv ndaj referendumit dhe ka shprehur siguri se në ditën e fundit të shtatorit të gjithë do të jenë krenar për vendimin e sjellë pozitiv.