Zaev nuk e jep Osmanin

Kryeministri Zoran Zaev sipas deklaratave të para nuk ka ndërmend të largojë nga Qeveria zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bujar Osmani, për të cilin Prokuroria Speciale ka zbardhur hetimet për një rast të koduar “Pacienti” gjatë kohës që ka qenë ministër i shëndetësisë në qeverisjen e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI në vitin 2010. Osmani hetohet si i dyshuar për keqpërdorime lidhur me tenderë, që përmes tyre është dëmtuar buxheti për gjysmë milionë euro.

Marketing

Për kryeministrin Zoran Zaev, hapja e një hetimi për Osmanin, nuk do të nxitë përgjegjësi,duke thënë se do të presë për një vendim të plotfuqishëm.

“Qëndrimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë. Askush nuk është fajtor përderisa ajo të vërtetohet me një vendim të plotfuqishëm, dhe sigurisht ky është vetëm një hetim, do të dëshiroja t’i dija hollësitë, do ta ndjek procesin me kujdes dhe do të veproj në kohën e duhur nëse diçka lidhet me dinjitetin e Qeverisë”, tha Zoran Zaev.
Osmani pohon se ka punuar sipas ligjit dhe interesave të qytetarëve dhe pret që të sqarohen sa më shpejt që është e mundur, siç thotë ai, dilemat rreth përfshirjes së tij në abuzime.

“Për disa vite janë paraqitur këto spekulime për disa abuzime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë dhe unë isha një nga ata që këmbëngulën për një hetim. Nëse i ndiqni paraqitjet e mia publike, unë gjithmonë kam kërkuar që sa më shpejtë të hapen hetimet, sepse nuk ka nevojë të qëndrojnë vazhdimisht si njollë dhe dyshim për punën time. Edhe partia ime ka kërkuar hetim për çdo zyrtar që nga viti 2002, unë jam i kënaqur që ky hetim përfundimisht është hapur, roli i të cilit është t’i vërtetojë faktet. Pres që sa më shpejtë dhe në mënyrë më efikase të përfundojë”, deklaroi Bujar Osmani.

ASH kërkon dorëheqjen
Reagimi i kryeministrit Zaev vjen pas kërkesës së Aleancës për Shqiptarët për shkarkimin e ministrit Osmani, për shkak të humbjes së kredibilitetit të kësaj qeverie.

“Pas kësaj aktakuze, Bujar Osmani nuk e ka legjitimitetin moral për të udhëhequr agjendën e integrimit evropian e as strategjinë e qeverisë për të zbatuar prioritetet e reformave urgjente të BE-së që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat janë kryesisht të lidhura me reformën e sektorit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Për më tepër, qëndrimi i tij në detyrë do të dëmtonte seriozisht pavarësinë e gjyqësorit, duke pasur parasysh nivelet e larta të ndërhyrjes politike në gjyqësor të theksuara në të gjitha vlerësimet e pavarura, së fundmi nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian”, theksoi ASH.

Aktivistët e shoqërisë kërkojnë dorëheqjen

Dorëheqjen e Osmanit e kanë kërkuar edhe aktivistë të shoqërisë civile.

“Bujar Osmani duhet urgjentisht të dorëhiqet që të lejojë hetimet ndaj tij të zhvillohen lirshëm. Pozita e tanishme i pengon autoritet hetuese në kryerjen e detyrës. Normalisht, nëse është i sigurtë se s’ka vjedhur, s’ka pse mos japë dorëheqje… E nëse nuk jep dorëheqje, atëherë duhet të shkarkohet nga kryeministri që t’i lejohet PSP-së të bëjë punën e saj.”, theksoi kryetari i EcoGuerilla, Arianit Xhaferi.

Përmes nje shkrimi ne Facebook ka reaguar edhe profesori dhe analisti i njohur, Arsim Sinani.

“Bujar Osmani lipset të vetëdorëhiqet si akt moral. E përshëndes hapjen e hetimeve dhe pres që ti shohim peshqit e mëdhenj shqiptar të përballen me ligjin. Shqiptarët duan hetime për çdo funksionar shqiptar të implikuar në krim, kriminalitet, korrupcion. Perspektivat hapen kur të inkriminuarit dënohen e jo të avansohen. Dorëhiqu Bujar Osmani përballu me ligjin mos e mbaj peng çështjen shqiptare për veprimet tua”, shkruan ne profilin e tij ne FB, profesori Arsim Sinani.

Dorëheqje ka kërkuar edhe gazetari Suat Saqipi përmes një postimi në facebook.

“Prokuroja Speciale Katica Janeva në tv Kanal5 publikoi pos tjerash edhe aktakuzën kundër zv.kryeministrit aktual Bujar Osmani dhe disa bashkpunëtorëve të tijë ! Pavarësisht si do ecin punët në drejtim të mbrojtjes tuajë,ti sot ke rastin vepro jep dorëheqje !”, ka shkruar Saqipi, që sipas tij, duhet të dorëhiqet edhe ministri kulturës Asaf Ademi për lejimin e filmit kontravers që UÇK e paraqet si vrasës dhe perdhunues të civilëve dhe sot filmi me komoditet do paraqitet para publikut në Shtip !.