Nuk dihet pyetja e referendumit. Me faktorët politikë dhe sektorin civil do të konfirmojmë nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligues, por në çdo rast rezultati do të jetë i obligueshëm, tha Kryeministri Zoran Zaev në pyetjet e gazetarëve gjatë vizitës së punës në Prilep.

“Për këtë çështje nuk kemi biseduar. Me siguri, presim të përfundojnë integrimet, gjegjësisht 11 dhe 12 korrik kur janë pritjet tona për ftesën në aleancën e NATO-s. Menjëherë pastaj shteti do ta hapë debatin, do ta konfirmojmë me siguri edhe afatin për mbajtjen e referendumit, pyetjen e referendumit dhe stilin e vetë referendumit”, tha Zaev.

Me siguri, siç shtoi, do të mbeten afatet, fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit për referendum dhe në të do të ndihmojnë Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe ekspertë në Parlament.

“Së bashku me të gjithë faktorët politikë dhe me sektorin civil do të vendosim nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligues, po ajo që duhet të gjithë ta dinë është se rezultati do të jetë i obligueshëm. Kjo do të thotë se nëse referendumi kalon do të duhet ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, të votojmë në Parlament dhe të punojmë, posaçërisht në reformat dhe në proceset të cilat vijojnë”, tha Zaev.

Kryeministri theksoi se në pyetjen do të jetë marrëveshja me Greqinë, si dhe BE dhe NATO.

“Në votim, të gjitha mundësitë janë të hapura dhe gjithçka varet se si faktorët politik në shtet do të dakordohemi që qytetarët të fitojnë mundësi korrekte dhe të prononcohen ashtu siç mendojnë se është më mirë për ardhmërinë e tyre. U bëj thirrje qytetarëve të votojnë për ardhmërinë e Maqedonisë”, deklaroi Kryeministri Zaev.