Ligji më i ri për Drejtorinë e të Ardhurave Publike, me të cilin parashikohet që DAP të ketë qasje të lirë në llogaritë bankare të qytetarëve është proces i financuar nga Bashkimi Evropian dhe fondet evropiane dhe bëhet fjalë për të drejtën që shteti t’u vendosë tatime të ardhurave të qytetarëve, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Klubin e deputetëve në shënimin e 17-vjetorit nga Marrëveshja e Ohrit, lidhur me reagimet e opinionit, por edhe fellës bankare për ligjin e ri. Tha se nuk bëhet fjalë për atë se shteti ka aspirata të hyjë në hollësi në shpenzimin e parave të qytetarëve.

Theksoi se në pjesën e të ardhurave shumë vende, demokraci dhe në BE dhe me gjerë kanë kontroll tek të ardhurat të cilat i realizojnë tatimpaguesit.

“Përfundimisht krijuam sistem, e përgatitëm shtetin dhe DAP-in nëpërmjet lidhjes me sektorin bankar që të ketë kontroll në të ardhurat, të cilat janë qëllim i vendosjes së tatimit nga ana e shtetit. Nuk ka asgjë jodemokratike, kjo është mundësuar dhe ekziston edhe tani. E dini se shteti përmes shumë institucioneve nëse dëshiron mund të bëjë kontroll në llogari të caktuara. Apeloj deri tek qytetarët që të mos kenë kurrfarë frikë. Bëhet fjalë për përgatitjen e shtetit në kryerjen e detyrës së saj të garantuar me Kushtetutë ose me ligj të transferuar përmes DAP, t’i paguajë tatimet nga ana e tatimpaguesve”, shpjegoi Zaev.

Edhe krahas reagimeve në opinion nga paralajmërimi se DAP do të ketë kontroll mujor në llogaritë bankare të qytetarëve, ata edhe tani, sipas Ligjit aktual për bankat nuk janë sekret bankar për shumicën e institucioneve në vend.
Qasje tek ato ka Banka Popullore, Drejtoria për Parandalimin e Larjes së Parave dhe për Financimin e Terrorizimit dhe Policia financiare. Në ligj qëndron edhe se bankat duhet t’ua japin të dhënat edhe Ministrisë së Punës, Agjencisë për Punësim dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, nëse kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim.

Me kërkesë me shkrim deri tek llogaritë bankare të qytetarëve arrijnë edhe Inspektorati Shtetëror i Devizave, Fondi për Sigurim të Depozitave, Prokuroria Publike dhe gjykatat.

Lidhur me reagimet në opinion se është e mundur vendosja e tatimeve edhe në të ardhurat nga diaspora, Zaev shpjegoi se do t’u vendosen tatime atyre që janë të ardhura.
“Ajo që është ndihmë ndaj familjes prej jashtë është ndihmë dhe ajo nuk është qëllim i tatimit në pajtim me ligjet e RM-së. Nëse dikush ka të ardhura jashtë vendit, sepse ka punuar apo ka dhënë ndonjë shërbim intelektual jashtë vendit dhe për këtë ka marrë të ardhura, ajo është lëndë e tatimimit”, tha Zaev.