Zaevi dhe Tsiprasi të nominohen për Nobelin e Paqes

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi (PSD) dhe kryeparlamentari disavjeçar i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç i ka dërguar kërkesën për nominim formal Institutit norvegjez – Nobelit, që Çmimin për Paqe t’ua ndajë kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Krivokapiç propozon që dy kryeministrave t’u ndahet çmimi për arritjen e Marrëveshjes së Prespës me të cilën zgjidhën kontestin 27 vjeçar në mes Maqedonisë dhe Greqisë. “Kjo marrëveshje historike mbyll çështjet që kanë bllokuar të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë dhe ka qenë një hendek midis dy shteteve”, ka thënë kreu i PSD-së. Sipas tij, në këtë mënyrë dy kryeministrat kanë treguar gatishmëri politike për të sjellë vendime të politikës së jashtme të cilat ndikojnë në marrëdhëniet e tyre fqinjësore dhe evropiane

“Përpjekjet e tyre personale dhe gatishmëria për kompromis për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve janë shembulli më i mirë i vizionit politik afatgjatë që është një parakusht i domosdoshëm i të gjithë udhëheqësve të drejtë”, theksoi Krivokapiç. Çmimi Nobel për Paqe paraqet mirënjohje për shërbimet në drejtim të afrimit të popujve, çarmatosjes apo reduktimit të kapaciteteve ushtarake, arsimimin politik dhe të tjerë si dhe mbajtjen e konferencave paqësore, ndërkaq i njëjti mbahet më 10 dhjetor çdo vit në ditën e vdekjes së Alfred Nobelit.

evn