Zbardhet identiteti i 24 vjeçarit që bashkë me vajzën 4 vjeçe humbën jetën në Gjermani

Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjermani, në afërsi të Dunningenit, ku një 26-vjeçar nga Kosova dhe vajza e tij 4-vjeçe kanë mbetur të vdekur, ndërsa vajza tjetër është në rrezik për jetën dhe është bartur me helikopter në Spitalin e Freiburgut.

Mediat gjermane shkruajnë, se vetura e tipit BMW, të cilën po e ngiste shqiptari nga Kosova, është përplasur në mënyrë ballore me një kamion.

Aksidenti tragjik ndodhi të hënën në mëngjes në orën 11 në rrugën kryesore pranë daljes Dunningen East: BMW u përplas kokë me kokë me një kamion.

Shqiptari nga Kosova 26-vjeçar është identifikuar. Ai është Valon Memaj nga Deçani, ndërkaq vajza e tij 4-vjeçare që po ashtu ndërroi jetë është L.M.

Rrëfimi i familjes

Të premten, bashkë me familjen kishin planifikuar që të vijnë për pushime në Kosovë. Por i riu nga Deçani, Valon Memaj, 26 vjeç, nga Gjermania për në vendlindje, bashkë me vajzën e tij 5-vjeçare, Luisën, do të kthehen në arkivol. Nga aksidenti që ndodhi në afërsi të Dunningenit mbeti e lënduar rëndë vajza tjetër 3-vjeçe e Valonit. Familja e deçanasit që jeton në Kosovë është e shokuar nga kjo ngjarje. Trupat e pajetë të Valonit dhe të së bijës pritet të premten të sillen në Kosovë për ceremoninë e varrimit.

Ende nuk e dinë se si ndodhi saktësisht e gjithë ngjarja. Por, familja Memaj nga fshati Llukë e Epërme e Komunës së Deçanit, gjatë pasdites së të martës, priste njerëz për ngushëllime. Kjo pasi atyre u vdiqën dy persona në një aksident trafiku, Valoni, 26 vjeç, e bija e tij Luiza, 5 vjeçe, ndërsa vajza tjetër 3 vjeçe pësoi lëndime të rënda trupore.

Media gjatë ditës së sotme ka qëndruar në familjen e të ndjerit. Axha i Valonit, Ferizi, ka rrëfyer rreth këtij rasti të rëndë.

Ai tregon se Valoni ka qenë në veturë vetëm me dy vajzat e tij, të cilat kishin qenë të ulura në ulëset e prapme të veturës së tipit BMW, në momentin kur ka ndodhur aksidenti.

I ndjeri ishte nisur bashkë me vajzat për në shtëpinë e tij pasi një natë më parë (të dielën), kishte qëndruar te prindërit, të cilët po ashtu i jetojnë në Gjermani,
Gruaja e Valonit nuk kishte qenë me ta. Ajo për disa ditë do të jetë në spital pas një intervenimi shëndetësor që kishte pasur.

E rruga për në shtëpinë e tij në Shtutgart të Gjermanisë i mori jetën Valonit dhe vajzës se tij, Luisës 5 vjeçe.

“Valoni ka qenë duke u kthy në shtëpinë e tij me dy vajzat. Gruan e ka pasur në spital. Ka qenë e shtrirë diçka prej bajameve. Ne hala nuk po e dimë shkaktarin e aksidentit. Jemi të shokuar nga kjo ngjarje. Po e presim që të kryhet obduksioni edhe procedurat e tjera që i kryen shteti dhe pastaj ta kryejmë ceremoninë e varrimit”, rrëfen axha i Valonit të ndjerë.

Për shkaktarin dhe si ndodhi aksidenti nuk di shumë as vajza e axhës së Valonit. Ajo i tha Expressit se ceremonia e varrimit mund të kryhet të premten.

“Dimë vetëm që vetura e Valonit është aksidentuar me një kamion në autostradë. Dy vajzat e vogla Valoni i ka pasur prapa në veturë. Valoni si fëmijë ka shku në Gjermani. Të premten kanë pas me u nisë për në Kosovë. Të gjithë familjen Valoni i ka në Gjermani. E ka vetëm edhe një vëlla. Lajmin neve na treguan familja atje. Nuk e dimë sigurt se kur do të kthehen viktimat në Kosovë, po flitet për të premten”, shpjegon vajza e axhës se Valonit tashmë të ndjerë.

Ajo tregon se Valoni kishte vetëm dy vajza.

E derisa familja e Valonit që jetojnë në Kosovë ende nuk e dinë se si ndodhi kjo ngjarje tragjike, qindra fshatarë ia mësynin shtëpisë së tashmë të ndjerit në Llukë të Deçanit.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme policia në Gjermani ka dhënë detaje rreth këtij rasti.

Zëdhënësi i policisë gjermane, Tobias Kalmbach, ka thënë se vajza 3-vjeçare e Valonit e cila pësoi lëndime të rënda nga aksidenti e ka kryer me sukses një operim në spitalin e Freiburgut.

Kalmbach ka deklaruar se ndonëse vajza ka pësuar lëndime të rënda, tash është jashtë rrezikut për jetë.

“Vajza e vogël e shoferit të vrarë, e cili ishte dërguar në një klinikë në Freiburg, dje nuk ishte operuar”, tha zëdhënësi i policisë Kalmbach. “Lëndimet ishin shumë të rënda”, tha ai, teksa tregoi se operacioni kaloi me sukses.

Ndërsa, trupat e shoferit 26-vjeçar nga Kosova dhe vajzës 4-vjeçare të tij që ndërruan jetë dje, do të dërgohen për t’ua bërë autopsitë.

Sipas policisë gjermane, vetura e Valonit e tipit BMW është përplasur dje rreth orës 11:00 me një kamion.

evn