Një ditë pasi Tirana zyrtare konfirmoi arratisjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski përmes shtetit shqiptar, mediat në Shqipëri kanë publikuar versione të ndryshme rreth hyrjes së mundshme ilegale të Gruevskit atje.

Top Channel, duke u referuar në burime të policisë shqiptare njofton se personat që e kanë shoqëruar Gruevskin për të hyrë në Shqipëri, me gjasë, e kanë kaluar atë nga kufiri i gjelbër. Pasi kanë ecur, ata kanë dalë në rrugën nacionale për t’u ndalur direkt në ambasadën e Hungarisë në Tiranë. Një ditë më parë policia e shtetit shqiptar ka konfirmuar se nuk ka evidencë elektronike se kur Gruevski ka kaluar kufirin Maqedoni – Shqipëri, se prej ku dhe kur ka hyrë në Shqipëri. Deparlamenti i policisë shqiptare vetëm ka njoftuar se Gruevski ilegalisht ka hyrë në Shqipëri dhe pasi është paraqitur në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë të dielën ka kaluar kufirin Hani i Hotit drejt Malit të Zi të dielën në ora 19.11 si bashkëudhëtar në veturën me targa CD1013A pronë e ambasadës së Hungarisë në Tiranë. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, dy shoqëruesit e tij, njëri prej të cilëve punonjës i ambasadës hungareze në Tiranë, sipas mediave shqiptare, janë kthyer në Shqipëri brenda një ore.

Gjatë ditës, mediat e Malit të Zi, nëpërmjet burimeve të tyre kanë zbardhur një pjesë të itinerarit të Gruevskit teksa ka kaluar vendin e tyre ditën e diel. Sipas “Vijesti”, ai në Mal të Zi ka arritur në 11 nëntor në ora 19:19 në vendkalimin kufitar Bozaj dhe ka përdorur kartën e tij të identitetit. Gruevski ka qenë në veturë “folksvagen” me targa CD1013A, e njëjta veturë me të cilën ka kaluar kufirin shqiptar. Në mediat malazeze thuhet se Gruevski ishte në shoqëri të Kulsar Antal dhe Varsalvai Shaba, të cilët kanë pasaporta diplomatike të Hungarisë. Burimi i medias malazeze nga Drejtoria policore ka shtuar se “në sistemin e hetimit nuk është paraqitur asnjë masë” e plotfuqishme kundër Gruevskit, me ç’rast policia nuk e ka ditur se ai është person në kërkim. Mediat e Malit të Zi njoftojnë se Gruevski në territorin e Serbisë hyri në të nëjtën ditë në ora 22:16, nga vendkalimi kufitar Dobrakovo me një makinë tjetër, me targa 55A05 në të cilën ndodheshin tashmë dy persona të tjerë, Cezar Josef Zoltan dhe Feledaz Saba, po ashtu, të dy me pasaporta diplomatike hungareze. Sipas faqes zyrtare të Ambasadës Hungareze në Podgoricë, Zoltan del të jetë zëvendës ambasador i Hungarisë në Mal të Zi, kurse Saba konsull. Përveç ambasadës në Podgoricë, Hungaria ka një konsullatë në Herceg Novi në Mal të Zi. Në një komunikatë të lëshuar nga Drejtoria e Policisë në Podgoricë, thuhet se policia malazeze në këtë rast ka respektuar procedurat ligjore.

Serbia akoma nuk ka konfirmuar lëvizjet e Gruevskit brenda kufijëve të saj. Por mediat tashmë shkruajnë se, jozyrtarisht, Gruevski ka ndaluar në Beograd, ku ka bërë kërkesë për azil edhe në ambasadën hungareze dhe më pas ka vazhduar rrugën drejt Budapestit.

Një ditë më parë kabineti i kryeministrit hungarez Viktor Orban konfirmoi se Gruevski ka kërkuar azil në ambasada jashtë vendit, por refuzoi të specifikojë se në cilat ambasada apo se si ai më vonë erdhi në Departamentin e Imigracionit dhe Azilit, në Budapest, ku u mor në pyetje dhe ku paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për azil. Shefi i Kabinetit të kryeministrit hungarez Orbanovog Gergelij Duljash refuzoi të përgjigjet nëse ambasada hungareze ndihmoi Gruevski për të arritur nga Tirana në Budapest. Ai tha gjithashtu se Hungaria nuk është përfshirë në ikjen e Gruevskit nga Maqedonia. Ka kaluar më shumë se një vit që kur ish kryeministrit të përfshirë në disa hetime të Prokurorisë Speciale dhe tashmë të dënuar me dy vite burg, i është marrë pasaporta personale dhe ajo diplomatike. Shtetasve të Maqedonisë për të kaluar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi u duhet vetëm letërnjoftimi por është e paqartë se si Gruevski ka kaluar kufirin Serbi – Hungari. Në momentin kur Gruevski ka kaluar kufijtë, që i bie të jetë dita e dielë nuk ka pasur të lëshuar fletarrest. Fletarresti kombëtar është lëshuar ditën e hënë, në datë 12 nëntor, kurse fletarresti ndërkombëtar është lëshuar ditën e martë, në datë 13 nëntor. Mediat së fundmi kanë raportuar se Gruevski ka poseduar pasaportë bullgare e cila i ka shërbyer për të kaluar kufijtë megjithatë një gjë e tillë një ditë më parë u mohua nga Sofja zyrtare nga ku thanë se Gruevski nuk posedon pasaportë bullgare dhe nuk është shtetas i Bullgarisë./Alsat-M/