Zbrazëtirat ligjore shpëtojnë Ivanovin nga kallëzimet Penale

Presidenti Ivanov nuk do të gjykohet për paditë që iu ngritën dy ditë më parë për mos nënshkrimin e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës. Kështu vlerëson juristi Bashkim Selmani derisa komenton kallëzimet penale ndaj Ivanov. Sipas tij, zbrazëtira ligjore për përcaktimin kohor të nënshkrimit të dekreteve, është arsyeja që paditë ndaj Ivanovit të hidhen poshtë si të pabaza.

Marketing

Këto nuk do të kenë epilog gjyqësorë, për arsye se në këtë rast nuk është kompetente Gjykata Penale. Nëse shikohet baza juridike është një problem esencial që e parasheh vetë kompetenca e presidentit për arsye se nëse ai refuzon të nënshkruaj këto dy ligje, atë të gjuhëve dhe të Prepsës, Kushtetua nuk e kufizon afatin kohor.

Nëse do të ishte i kufizuar afati kohorë atëherë detyrimisht në këtë rast Presidenti i shtetit bën keqpërdorim e detyrës zyrtare. Këtu juridikisht nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare për arsye se ligjvënësi nuk e parasheh kufizimin, prandaj edhe këto dy lëndë juridiko-penale nuk do të kenë epilog përfundimtar por thjeshtë do t’i hedh gjykata si të pabaza”- u shpreh Bashkim Selmani, jurist.

Ndërkaq Prokuroria e Përgjithshme Publike vazhdon hetimet ndaj Presidentit Ivanov, për dy kallëzimet penale që u ngritën nga persona anonim ditën e martë, për mos nënshkrimin e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjen e Prespës.

Të njëjtit kanë kërkuar informata detaje nga Kuvendi i Maqedonisë për kohën e miratimit të ligjeve. Gjithashtu, organi ndjekës është drejtuar edhe në Presidencë për të kuptuar arsyen se përse Ivanov nuk ka nënshkruar dekretin e ligjeve të lartpërmendura. Nga ana tjetër, Ivanov vazhdon të mbrohet në heshtje duke mos i komentuar fare paditë ndaj tij.

Marketing