Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë në muajin shtator duhet të votojnë plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtje. Paraprakisht deri në fund të muajit qershor pritet të kalojnë edhe filtrat qeveritar, shkruan gazeta KOHA.

Me ndryshimet e ligjit, parashikohet që gjobat maksimale për personat fizik apo qytetarët të jenë 500 euro, ndërsa dënimet për personat juridik apo bizneset të kenë vlerën deri në 1000 euro në kundërvlerë të denarit.

“Qëllimi i zgjidhjes se re ligjore në radhë të parë është ulja e gjobave kundërvajtëse, pastaj ndarja e qartë e shkeljes administrative dhe shkeljeve ligjore, parandalimi në vend të represionit, apo shqiptimi i paralajmërimit para se të shqiptohet shkelje administrative kur një gjë e tillë është e mundshme, si dhe përmirësimi i efikasitetit të procedurës kundërvajtëse”, thonë nga Ministria e Drejtësisë, e cila po merret me përgatitjen e ndryshimeve ligjore. Duke arsyetuar ndryshimet të Ligjit për kundërvajtje, Ministria e Drejtësisë mban qëndrimin se zgjidhja e mëparshme ligjore, nuk ka zvogëluar dënimet që mund ti shqiptojnë organet kundërvajtëse, bile dënimet edhe janë rritur në vende të caktuara.

Thelbi i këtyre ndryshimeve prek mbrojtjen juridike e qytetarëve, e cila duhet të jetë më efikase dhe eliminimi i praktikave të deritanishme të shqiptimit të dënimeve të mëdha.
Ekspertët juridik thonë se dënimet sipas ligjit aktual për kundërvajtje shkojnë edhe në disa dhjetëra mijë euro, ndërsa ato shpesh i shqiptojnë edhe organet e ndryshme administrative pa ndonjë vendim gjyqësor. Parashikohet edhe shkurtim i procedurës për ankesë , si dhe mundësia që parashtrimi i ankesës të ndalojë realizimin e dënimit.

Me Ligjin për kundërvajtje të vitit 2015, për herë të parë u vendosën dy shkallë në procedurën kundërvajtëse në kuadër të administratës shtetërore, me ç’rast u mundësua që organet e administratës të shqiptojnë dënime më shuma milionëshe dhe mbrojtje ligjore që nuk anulon realizimin e dënimit. Andaj edhe u imponua nevoja e zbutjes së këtyre dënimeve.

“Lartësia e dënimeve, dhe mbrojtja juridike e qytetarëve nga zgjidhjet eventuale joligjore për kundërvajtje të përcaktuara me Ligjin aktual për kundërvajtje, e vendosin në pikëpyetje zbatimin parimor të principeve të sundimit të së drejtës, sigurisë juridike dhe përpjesëtueshmërinë e tyre . Njëherësh për momentin ekziston një numër i rëndësishëm i kundërvajtjeve që janë nën kompetencën e një numri të madh të organeve jo-gjyqësore kundërvajtëse, si dhe një numër i madh i ligjeve, me të cilat përcaktohen kundërvajtjet dhe lartësia e dënimeve për kryerjen e tyre”, arsyetohen ndër të tjerash nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.

Në ndërkohë ndryshimi i politikës kundërvajtëse ishte edhe kërkesë e Odës Ekonomike të Maqedonisë e parashtruar së fundmi në muajin shkurt të këtij viti, konkretisht në aspektin e gjobave kundërvajtëse që iu shqiptohen afaristëve, ashtu edhe në aspektin e realizimit të procedurave të përshpejtuara për anulim.

Afaristët kërkojnë zgjidhjen e problemit të procedurave për lëshimin e fletëpagesës së mandatit dhe fletëpagesës kundërvajtëse.

Sikundër dihet, Ligji aktual për kundërvajtje është miratuar në vitin 2015. Zgjidhjet e tanishme ligjore janë gati me dispozita identike, si të Ligjit për kundërvajtje, të miratuar në vitin 2006 me ndryshime të caktuara të rregullave që kanë të bëjnë me krijimin e normave dhe akteve juridike. (koha.mk)