Zëvendësministri Kadriu tregon kur do të lëshohet autostrada për Shkup

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka bërë të ditur se me dinamikën e punimeve në autostradën që lidh Prishtinën me Maqedoninë, punimet mund të përfundojnë më 31 dhjetor.

Marketing

Por, i dyti i Ministrisë së Lekajt ka potencuar se kjo datë nuk mund të jetë e konfirmuar, pasi kjo varet nga kushtet atmosferike që do të mbretërojnë në fund të vitit.

Ai për Gazetën Metro ka thënë se nëse në fund të dhjetorit nuk janë temperaturat +5 gradë, asfaltimi i urës më të gjatë në Ballkan do të shtyhet deri në përmirësim të motit.

“Sipas kësaj dinamike ne shpresojmë në përfundim të punimeve deri më datë 31 dhjetor, mirëpo po lutemi që të kemi kushtet e mira atmosferike për të mundur të bëjmë asfaltimin e Urës sepse ky lloj asfalti dhe asfaltimi i urës kërkon që temperatura të jetë +5 gradë në të kundërtën do të presim deri në përmirësimin e kushteve atmosferike për asfaltim ku nuk do të rrezikojmë kualitetin e ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së rrugës dhe urës e një vepre arkitektonike dhe një atraksioni turistik të vetmen në Ballkan të këtyre përmasave”, ka thënë zëvendësministri Kadriu.

Ndërkaq, ai ka treguar edhe për punët aktuale që po kryhen në këtë projekt të madh që lidh Kosovën me Maqedoninë. Kadriu ka thënë se po punohet në vendosjen e trajeve të fundit të urës së gjatë, si dhe në shtratin e lumit Lepenc.

“Aktualisht po punohet në montimin e metrave të fundit të trajeve në urën më të gjatë në Ballkan dhe po punohet edhe në pozicione të tjera në asfaltime dhe në rindërtimin e shtratit të lumit Lepenc”, ka thënë Kadriu për Metron.

Sidoqoftë, Metros i kanë thënë po ashtu nga Ministria se Bechtel&Enka po punojnë me tri turne dhe fuqi të madhe punëtore e makineri, për të përshpejtuar përfundimin e punimeve.

Mirëpo, parë nga kushtet që po mbretërojnë javët e fundit në Kosovë, dhjetori nuk premton një mot të përshtatshëm për të asfaltuar urën, kështu që përfundimi i punimeve mund të shtyhet për disa javë.

Marketing