Nëpër shkollat e Gjenevës duhet të zëvendësohen rreth 70 harta të reja të murit tek të cilat Kosova shfaqet si një krahinë serbe e jo si një shtet i pavarur.

“Ky është një gabim për të ardhur keq”, ka deklaruar Pierre-Antoine Preti, zëdhënës i Drejtorisë Arsimore të Gjenevës duke e konfirmuar informatën përkatëse të gazetës “Le Temps”.

Kantoni i Gjenevës ka anuluar urdhrin për kompaninë “Michelin”, e cila u zgjodh si furnizues sepse është kompania e vetme që ofron harta të plastifikuara.

Sipas Pertit, kantoni i Gjenevës tani do të marrë harta nga prodhuesit e tjerë dhe do t’i plastifikojë me shpenzimet e veta. Ndërkohë kopjet e hartave me këtë mangësi i janë kthyer prodhuesit.

Çdo vit, kantoni i Gjenevës i ndryshon pjesët e hartave të cilat janë të varura nëpër klasa.

Zvicra ishte një nga shtetet e para që në vitin 2008 e njohu Pavarësinë e Kosovës.