Restorantet, kafenetë dhe objektet e tjera të hotelerisë do të punojnë me orar të zgjatur deri në orën 21:00. Ky vendim i autoriteteve erdhi pas stabilizimit të situatës epidemiologjike në vend.

Pronarët e këtyre bizneseve mirëpresin zgjatjen e orarit të punës, por sipas tyre kjo nuk është e mjaftueshme, pasi kjo nuk do të ndikojë në aspektin financiar.

“Është e njëjtë mund ta them, si deri në orën 18, si deri në orën 21, është e njëjtë në aspektin e punës. Vetëm se ngarkohemi me faktin që nëse tani kemi punuar me 1 ose 2 të punësuar, tani numri i punëtorëve do të dyfishohet. Minimalja do të kishte qenë deri në orën 23, mendoj përderisa i respektojmë protokollet dhe masat, atëherë është e palogjikshme shkurtesa e orarit të punës.”,- deklaroi pronari i një lokali, Jeton Sinani.

Sipas Sinanit, sektori i gastronomisë është ndër më të prekurit nga kriza, andaj pos zgjatjes së orarit, kërkoi nga qeveria që për këtë sektor të këtë mbështetje financiare pa kushte.

“Kërkesat tona janë: të zgjatet orari dhe të ketë ndihma pa kushte për kafenetë, restorantet, pasi mendoj se vetëm ashtu do të mundemi të dalim prej kësaj krize që kemi hyrë që nga fillimi i pandemisë. Duhet të gjendet një mes, që përmes protokolleve të reja të vazhdojmë të punojmë më rehat dhe më mirë, shpresojmë që të rikthehemi sa më shpejt në një normale.”,- theksoi Sinani.

Lidhur me këto kërkesa nga Qeveria theksojnë se gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohet propozimi që këto biznese të punojnë deri në ora 23:00. Edhe Oda e Pavarur e Hoteliereve kërkoi nga Qeveria që të jetë pjesë në krijimin e pakos së pestë të masave për mbështetje të industrisë hotelierike.

Kërkuan që ekzekutivi urgjentisht të sjellë vendim për vazhdim të masës së subvencionit të bruto pagave nga fillimi i janarit të vitit 2021 me kohëzgjatje derisa të zbatohen kufizimet me masa restriktive gjegjësisht protokollet për punë të objekteve hotelierike ose deri në përfundimin zyrtar të pandemisë së virusit korona.