Kuvendi mbrëmë e zgjodhi përbërjen e re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), me të cilën përfundimisht dhe formalisht krijohen kushte për organizimin dhe realizimin e referendumit të paralajmëruar në vjeshtë për Marrëveshjen me Greqinë.

Pritet të shtunën apo të hënën të mbahet seancë e re në të cilën Kuvendi do ta shpall referendumin i cili, siç është paralajmëruar, duhet të mbahet më 30 shtator.

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se beson se deri më 30 korrik Kuvendi do të sjellë vendim për shpalljen e referendumit, të cilin, siç deklaroi në pyetjen e gazetarëve, do ta organizojnë edhe pa VMRO-DPMNE-në opozitare në rast se nuk arrihet marrëveshje me ta për çka në vazhdim janë bisedimet në nivel parlamentar.

Në rast se nuk arrihet marrëveshje me VMRO-DPMNE-në pret pozicionim adekuat të deputetëve të tyre për shpalljen e referendumit, por edhe para opinionit. Ata, sipas Zaevit, duhet të tregojnë qëndrimin e tyre, se a do të jenë për bojkot, bojkot të heshtur, për shpallje të referendumit, të votojnë kundër, do të jenë për thirrje, ndërsa qytetarët të vendosin lirshëm.

“Është e drejta e tyre, por obligim i të gjithëve është që të mundësojnë që procesi të jetë i suksesshëm”, deklaroi Zaev.

Kryeministri tha se ata janë të hapur për debat për pyetjet nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligativ.

“Jemi të hapur për debat për këtë çështje se a do të jetë konsultativ ose obligativ, në fund vendimi është obligativ sepse qytetarët teorikisht mund të dalin një milion, nëse 600 mijë votojnë pro, ndërsa 400 mijë janë kundër atëherë politikanët do ta zbatojnë vendimin, votojnë në Parlament dhe arrijnë konsensus. Nëse dalin një milionë votues, 600 mijë janë kundër, ndërsa 400 mijë janë pro, atëherë nuk vlen Marrëveshja me Greqinë. Nëse dalin 800 mijë votues, 600 mijë votojnë për, ndërsa 200 mijë janë kundër atëherë qytetarët nuk kanë sjellë vendim. Nëse nuk ka census të përmbushur siç është me Kushtetutë atëherë mbetet që institucionet të votojnë, Parlamenti të votojë për ndryshime kushtetuese ose të votojë kundër ndryshimeve kushtetuese”, tha Zaev.

Sipas tij, Qeveria dëshiron për çështje me interes kombëtar të qëndrojë së bashku, por se qytetarët duhet të dinë se korrekt është të parashtrohet pyetje e cila është e logjikshme në momentin kur jetohet dhe vendimet të cilat priten.

“Për këtë shkak, kemi parashtruar pyetje – a jeni për anëtarësim në BE dhe NATO përmes përkrahjes së Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Nga opozita morën kundër pyetje, e cila shkon kështu – A jeni për përkrahje të Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë të nënshkruar nga ministri, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias në Serades (Nivici), e cila tërësisht e shkatërron gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas, kulturën maqedonase dhe veçorinë kombëtare të Maqedonisë. Kjo nuk është e saktë dhe ne nuk mund t’u parashtrojmë pyetje të tillë qytetarëve”, tha Zaev,

Kryeministri apelon që referendumi të mbahet si proces i suksesshëm dhe me këtë rast të garantohet validiteti dhe vlerësimi edhe i atyre që do të votojnë për edhe i atyre që do të votojnë kundër. Procesi duhet të jetë mjaftë motivues që qytetarët të dalin dhe të marrin vendim.

“Këtë të drejtë nuk e ka as Mickovski, as Zaevi, pasi sundim të së drejtës patjetër duhet të ketë. Nëse dikush imagjinon një gjë të tillë, së pari qytetarët do të heqin dorë nga ne, ndërsa vendet anëtare në procesin e integrimit do të na bllokojnë”, tha kryeministri.

Në seancën e mbrëmshme Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 100 vota “pro”, pa asnjë të përmbajtur dhe kundër e zgjodhi kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Në vazhdimin e seancës janë miratuar edhe ndryshimet dhe plotësimet e Kodit zgjedhor (99 vota “për”) dhe të ligjeve për Qeverinë dhe për financimin e partive politike (me nga 101 vota “për”), me procedurë të shkurtuar.

Për kryetar të KSHZ-së nga VMRO-DPMNE-ja është zgjedhur Oliver Derkovski, ndërsa Ditmire Shehu nga BDI-ja për nënkryetare. Elizabeta Postolovska nga VMRO-DPMNE-ja, Janakie Vitanovski, Boris Kondarko dhe Radica Risteska nga LSDM-ja, si dhe Enver Saliu nga Lëvizja BESA do të jenë anëtarë të KSHZ-së.

Fillimisht seanca për këto pika në rend dite u paralajmërua për të hënën në mbrëmje, por edhe krahas deklaratave të liderëve, pati mosmarrëveshje midis partive parlamentare dhe seanca nuk u mbajt. Kështu, pasi u arrit marrëveshja përfundimtare dhe u zhbllokua përzgjedhja e KSHZ-së, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e konvokoi seancën e sotme plenare.

Pas votimit, Xhaferi apeloi deri tek partitë politike që në të ardhmen për gjithçka që do të dakordohen deri tek Parlamenti të dorëzojnë materiale zyrtare që të mund të veprohet sipas tyre. Ai, gjithashtu, i përgënjeshtroi informacionet në një pjesë të mediave se seanca nuk është konvokuar për shkak të arsyeve të tija familjare, por, siç potencoi, ajo ndodhi për shkak se nuk kishte marrëveshje midis partive.

“Atë që në të ardhmen do ta dakordojnë partitë politike, në mënyrë adekuate në formë të shkruar ta dorëzojnë si material zyrtar deri tek Kuvendi që të mund Kuvendi të veprojë. Pres se bisedimet e ardhshme që zhvillohen lidhur me referendumin të mos e kenë fundin e njëjtë, por në kohë atë që do ta dakordojnë partitë ta dorëzojnë si propozim adekuat që të mund Kuvendi të deklarohet sipas pyetjes”, theksoi Xhaferi. Ai shtoi se kur janë në pyetje interesat e qytetarëve, Kuvendi do të punojë në cilëndo pjesë të ditës, qoftë ditë apo natë.