Zgjedhjet në Kosovë, jehonë në mediat ndërkombëtare

Zgjedhjet në Kosovë dhe rezultati i tyre, janë trajtuar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare më prestigjioze që e vendosin theksin te përmbysja e madhe dhe triumfi i opozitës.

“Zgjedhësit në Kosovë duan një të ardhme të re, por problemet e vjetra vazhdojnë të rëndojnë”, shkruan “New York Times”, e cila edhe sqaron se zgjedhjet erdhën pasi kryeministri Ramush Haradinaj, ish-drejtues i UÇK-së dha dorëheqjen në qershor pasi u thirr nga një gjykatë në Hagë.
Edhe “Bloomberg” raporton se opozita fitoi në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë dhe kjo mund të ndihmojë në përpjekjet për integrim euroatlantik të shtetit më të ri në Ballkan.
“Fituesi i zgjedhjeve”, nënvizon Bloomberg, ka sinjalizuar tashmë për një qëndrim të ashpër përballë Serbisë”.
“France 24” vë në dukje faktin se partitë opozitare ia dolën të dielën të mundnin krahun e luftës, në atë që shënon një pikë kthese në politikën kosovare.
“The Times” e Londrës, shkruan se një ish-lider i protestave studentore fitoi zgjedhjet në Kosovë, ndërsa për “Euronews”, partitë e opozitës arritën të përmbysin politikën në vend me fitoren në zgjedhje. Kjo sipas “Euronews” sinjalizon një erë të re politikë në vendin ballkanik, lidershipi i të cilit më herët është dominuar nga figura që vinin nga konflikti i viteve 90 dhe lufta për pavarësi.
Ndërsa për “BBC”, që raporton për rezultatet paraprake të zgjedhjeve, tani Vetëvendosje dhe LDK duhet të përpiqen të përafrojnë qëndrimet, pas dështimit në krijimin e një koalicioni parazgjedhor dhe citon liderin e vetëvendosjes, Albin Kurtin që thotë se do të trokasë në derën e LDK-së të hënën për të nisur negociatat.
Ndërsa agjencia e lajmeve “Reuters” veçon se kushdo që do të drejtojë Kosovën, do të duhet të përballet me lidhjet me Serbinë dhe normalizimin e tyre, dhe citon Albin Kurtin që thotë se partia e tij do të abrogojë tarifën 100 përqind mbi mallrat serbe që ka bllokuar dialogun me Beogradin, por se do të marrë të tjera masa kundër Serbisë.

evn