Zgjedhjet nuk e ndryshojnë kursin e Austrisë

Partia konservatore austriake, ÖVP e Të Gjelbrit fitoi shumë vota në zgjedhjet e së dielës në Austri. Partia djathtiste, FPÖ ka humbur, por kjo nuk do të thotë, se gjërat do të ndryshojnë, mendon Norbert Mappes-Niediek.

Marketing

Kush di të numërojë do të thoshte se zgjedhjet e së dielës në Austri sollën një ndryshim kursi të vendit. Drejtimi – më majtas. Kush është më i vëmendshëm dhe e ka ndjekur edhe fushatën zgjedhore në shtator do të arrijë tek një përfundim tjetër. Vërtet që koalicioni i i konservatorëve të ÖVP-së dhe të djathtëve të FPÖ-së para dy vitesh së bashku morën katër përqind më shumë vota, vërtet që Të Gjelbrit me 3,8% dolën nga parlamenti para dy vitesh e u rikthyen tani në mënyrë spektakolare, – por kjo nuk do të thotë se ka ndryshuar shumë atmosfera e zgjedhësve dhe orientimi i tyre.

Ish-kancelari, Sebastian Kurz përfaqëson dhe administron një konsesus të gjerë konservator: Është mirë kështu siç jemi “ne”. Jo më refugjatë, të huajt të jenë të sjellshëm (para së gjithash më pak) – e në vend të kësaj krenari kombëtare dhe identitet. Kthim në politikën e para vitit 1968 dhe një BE-je që nuk na ndërhyn shumë. Me sfidat, ju lutemi na lini rehat. Shifra më e cituar e konfliktit zgjedhor ishte gjoja 02,% i gazit ndotës që ky vend i vogël dhe i pafajshëm emeton në botë. Më e rëndësishmja çmimi i benzinës mbetet i ulët. Për planetin le ta vrasin mendjen të mëdhenjtë!

Distanca mes partive të mbetet

Fakti që Sebastian Kurz arriti të marrë vetëm 37,5% të votave dhe nuk mori 60% të tyre, shpjegohet me mentalitetin politik në Austri. Megjithë maninë për grindje për gjërat e vogla, partitë e shmangin çdo lloj mungese ujdie për çështjet e mëdha. Edhe votuesi e dëshiron që distanca mes partive të mbetet siç është. Do populli të shkojë djathtas, atëherë politikanët e të gjitha kampeve duhet ta ndjekin këtë sinjal.

Fakti që Të Gjelbrit para dy vitesh ishin shumë të dobët, lidhet me qëndrimin e tyre opozitar ndaj politikës strikte të qeverisë për refugjatët. Këtë herë ata e shmangën me kujdes këtë temë. Tema tjetër – ndryshimi i klimës – gjen menjëherë shumë mbështetje, për sa kohë, që nuk kërcënojnë masa të dhimbshme. Kështu një votë për këtë parti e qetëson ndërgjegjen.

Socialdemokratët përkundrazi u ndëshkuan. Fakti që edhe ata e shmangën me kujdes temën e migrimit, nuk mjaftoi për t’u afruar me votuesit. Zemërimin e tyre për riorganizimin e sigurimit shëndetësor, një temë për specialistët e funksionarët, nuk e kuptoi kush. Protesta e tyre kundër rregullores së re të orarit të punës, që lejon ditë pune 12 orëshe dhe javë me 60 orë punë i anashkaloi interesat e vetë klientelës socialdemokrate. Pikërisht tek shtresa punëtore është ende popullor modeli klasik familjar: Babai bën mbi orë, kurse nëna kujdeset për familjen dhe fiton diçka. E sikur kjo të mos mjaftonte, me kandidaten Pamela Rendi-Wagner, socialdemokratët nxorrën në krye një kandidate të dobët dhe të pasigurtë, që për shkak të mungesë së perspektivës në radhët e veta, nxirrte si pllakate vetëm “humanizmin” dhe “solidaritetin”. Por shenjat janë për burra të fortë dhe humor të keq. SPÖ nuk guxoi të linte gjurmën e fortë të saj.

Shok pas videos së Ibicës? Aspak

Rezultati zgjedhor, sidomos rënia e FPÖ-së me 10% në këto zgjedhje, të çon në një përfundim të gabuar: pra që zgjedhësit shprehën protestën e tyre kundër videos skandaloze të Ibicës, ku zëvendëskancelari, Heinz-Christian Strache duket si bën pazar me një gjoja oligarke ruse. Opinioni kishte katër muaj kohë për t’u shokuar për këtë. Por shok nuk pati. Eh, kështu janë politikanët – ky ishte mesazhi. E nëse duan të bëjnë marrëveshje të pista, të paktën t’i bëjnë me elegancë dhe të kujdesen që të mos i kapin.

Kërkimi i partnerit

Sebastian Kurz i ka tani të gjithë mundësitë për të realizuar politikën e tij. Madje edhe me Të Gjelbrit ai do ta kishte një shumicë absolute, dhe kjo parti po i jep shenja fituesit se ka interes për një koalicion. Por kundërshtim ka nga dega e partisë në Vjenë. Më e lehtë për Kurz do të ishte të merrte, “Neot” rozë, një parti e vogël me qëndrime liberale në politikën ekonomike dhe shoqërore e qytetasve të shkolluar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

Por edhe partia nacionaliste e djathtë, FPÖ-së do të ishte një partner i mundshëm. Sekretari i saj i Përgjithshëm, Harald Vilimsky deklaroi në natën zgjedhore, se ai “nuk sheh porosi” të votuesve për vazhdimin e koalicionit me ÖVP. Gjuha e thatë veçse ka kuptim nga ana taktike. Në fushatën zgjedhore, FPÖ i bënte elozhe Sebastian Kurzit. Tani ajo mund të ndërrojë taktikë dhe të rrisë çmimin. Por ka gjasa që FPÖ të refuzojë pushtetin dhe të kalojë në një opozitë të fortë – një skenar që Sebastian Kurzit nuk duhet t’i pëlqejë shumë. Në këto kushte Austrinë e pret një poker disajavor politik.