Zgjerimi i BE-së, Franca me kushte të reja

Me reformat e propozuara brenda BE-së, Franca kërkon që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane të bëhet në shtatë faza dhe jo me kapituj siç ishte deri tani. Non-paperi i dorëzuar nga Makron, përmban katër kushte të reja, të cilat duhet t’i shtohen procesit të zgjerimit në reformimin e saj:

Marketing

Përafrimi gradual, ku tashmë procesi nuk do të zhvillohet më mbi kapituj, por mbi disa faza që shteti duhet t’i kalojë sipas radhës.

Kushtet e rrepta, të cilat do të vendosen për çdo fazë për shtetet kandidate. Indikatorët do të merren nga të gjitha institucionet europiane në fushat përkatëse dhe kryesore paraqitet situata në fushën e drejtësisë.

Përfitime të prekshme, ku theksohet domosdoshmëria se përveç përfitimeve që vijnë nga pjesëmarrja graduale në politikat e BE-së, rritja e mbështetjes financiare do të shtohet edhe më tej për të shmangur influencat e huaja.

Mundësi e kthimit të procesit, ku theksohet se një parim i kthyeshmerisë duhet të vendoset për të adresuar situatat me të cilat vendi kandidat, tërësisht ose pjesërisht, nuk plotëson më kritere të caktuara ose pushon së përmbushuri zotimet që ka ndërmarrë.
Themelet bazë të procesit mbeten të drejtat dhe liritë e njeriut, sundimi i së drejtës dhe gjyqësori.

Dokumenti parasheh që fazat e integrimit gradual të zhvillohen në atë mënyrë që nuk mund të merrni pjesë në politikat europiane të një faze, nëse nuk kalon fazën paraprake.

Faza e parë parasheh reforma në gjyqësor, të drejtat themelore, drejtësi, liri dhe siguri

Faza e dytë ka të bëjë me edukimin dhe kulturën, politikën e transportit, energjinë dhe mjedisin

Faza e tretë është politika sociale dhe punësimi, shëndeti, mbrojtja e konsumatorit dhe politika e konkurrencës

Faza e katërt ka të bëjë me ekonominë, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbime financiare, politika ekonomike dhe monetare, statistika dhe kontrolli financiar

Faza e pestë është për tregun e brendshëm, bujqësinë dhe peshkimin në ë cilën përmendet bashkimi doganor, lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, Siguria e ushqimit, veterinari dhe politika financiare, Media dhe shoqëria e informacionit

Faza e gjashtë ka të bëjë me politikën e jashtme, marrëdhëniet e jashtme, siguria dhe mbrojtja e jashtme si dhe

Faza e shtatë është për çështje të tjera në të cilën përmenden çështjet financiare dhe buxhetore, marrëveshjet, Institucionet

Sipas prioriteteve të fazave, reformat në gjyqësor janë në vendin e parë, aty ku vendi kishte ngecur dhe kritikat e viteve të fundit nga Brukseli ishin për këtë fushë. Këtu edhe hapet dilema se sa kohë i duhet vendit që të kalojë këtë fazë. Me këtë metodologji, Shqipëria duhet të jetë më përpara Maqedonisë, duke qenë se Shqipëria ka bërë veting të paktën. Sa i përket mediave, Franca këtë çështje e vendos në fazën e pestë bashkë me tregun e brendshëm dhe bujqësinë. Fare në fund, në fazën e shtatë është lënë qasja, që nënkupton qasje të plotë në BE.

Franca kërkon nga Komisioni dhe Këshilli Europian, që paketa e re e zgjerimit të miratohet përpara Janarit të 2020-ës. Kjo procedurë e re do të aplikohet për të gjitha vendet kandidate si dhe për dy vendet që tashmë i kanë hapur negociatat për në BE siç është Mali i Zi dhe Serbia.