Në kohën kur dialogu po hynë në fazën finale, shumë shtete të mëdha po kërkojnë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E që marrëveshja historike të arrihet sa më shpejtë Thaçi e Vuçiq do të takohen përsëri gjatë muajit shtator.

Muajin e ardhshëm pikërisht presidenti serb do ta shfrytëzojë për një “ofensivë diplomatike”, siç po e cilësojnë mediat në Beograd, transmeton lajmi.net.

Ai do të zhvillojë disa takime me zyrtarë të lartë të shteteve të fuqishme, ku temë kryesore pa diskutim se do të jetë edhe zgjidhja me Kosovën.

Gazeta serbe Blic duke u thirrur në burime të presidencës, raporton se Vuçiq do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Takimi është dakorduar, vetëm vendi nuk dihet. Ata do të takohen në Moskë ose Vladivostok”, thonë burimet e gazetës serbe.

Vuçiq do të shkojë në Rusi për konsultime me Putinin para Asamblesë së OKB-së e cila do të mbahet më 24-28 shtator, e presidenti serb do të flas në njërën nga mbledhjet.

Vuçiq pritet t’i shfrytëzojë këto mbledhje që të flasë edhe me njerëz nga administrata e Trumpit në Nju Jork.

Kurse jozyrtarisht thuhet se ai do të takohet edhe me zv/presidentin e shtetit të Indisë.

Para gjitha këtyre takimeve, Vuçiq pritet ta vizitojë Kosovën ku do të takohet me pakicën serbe.

Vuçiq deri në fund të vitit pritet të takohet edhe një herë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Madje ky i fundit pritet të realizojë një vizitë në Beograd kah fundi i vitit.