Zhbllokohen fondet e MCC Amerikane për Kosovën, reagon Grenell

Milenium Challenge Corporation (MCC) ka aktivizuar përsëri programin e saj në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikatë për media.

Marketing

Sipas MCC, vendimi është marrë pas heqjes së masave të reciprocitetit nga Qeveria Hoti. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin reflektimin e Kosovës në çështjen e taksës dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC është e kënaqur që të rifillojë zbatimin e programit kompakt të propozuar në Kosovë”.

“MCC pret një partneritet të vazhdueshëm, të fortë me popullin e Kosovës dhe qeverinë e tyre ndërsa ne punojmë së bashku për të zvogëluar varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në komunikatë. MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të Qeverisë Kurti për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

Pas këtij vendimi ka reaguar, i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai në rrjetin socia Twitter ka shpërndarë postimet e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti, të cilët e mirëpritën vendimin e MCC-së.

Kryeministri Avdullah Hoti, ka mirëpritur vendimin e Milenium Challenge Corporation (MCC), për të zhbllokuar fondet për Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter. “Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve dhe rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit në Kosovë”, ka shkruar Hoti.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se partneriteti me Uashingtonin është rruga e “vetme që çon drejt një të ardhmeje të sigurt për Kosovën, në paqe e prosperitet për gjithë”.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe, ndonëse SHBA-ja vazhdimisht kishte bërë thirrje për heqjen e tyre. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.

Qeveria e Kosovës të shtunën vendosi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, që kishte hyrë në fuqi në prill të këtij viti. Largimi i taksës 100 për qind, por edhe më pas të reciprocitetit, vazhdimisht është kërkuar nga SHBA-ja.

Partneriteti i Kosovës me agjencinë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është themeluar në dhjetor 2015. Në takimin vjetor të kësaj agjencie, Bordi i MCC-së i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, ka përzgjedhur Kosovën për të zhvilluar programin ‘kompakt’ të ndihmës, program i gjerë investimi mbi 300 milion dollarë.

Procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së është udhehequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Pas përfundimit të mandatit të Presidentes Jahjaga, zhvillimi i programit të MCC-së i është bartur Qeverisë së Kosovës.

Marketing