Zhbogar: Anulimi i regjistrimit të popullsisë i logjikshëm, por nuk ka pengesë për miratimin e Ligjit

Nën moton “Të dhëna më të mira. Jetë më e mirë” dhe me një ligj të pa miratuar për regjistrimin e popullsisë, u shënua Dita Evropiane e Statistikës. Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar shpreson se do të realizohet regjistrimi i popullsisë dhe se nuk do të ketë pengesa që të miratohet në Kuvend ligji për realizimin e tij.

Marketing

Zhbogar nënvizoi se shtyrja e regjistrimit të popullsisë ishte e nevojshme për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por shpreson se i njëjti do të realizohet deri në fund të këtij viti, ose më së voni vitin e ardhshëm.

“Për shkak të vendimit që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ishte e nevojshme të prolongohet regjistrimi për shkak të vend i regjistrimit. Prolongimi është i logjikshëm në rrethana të tilla, Regjistrimi është proces nga i cili kanë dobi qytetarët dhe duhet të jetë I liruar nga ndikimi politik. Shpresoj që regjistrimi të mbahet deri në fund të këtij viti ose më së voni vitin e ardhshëm, kur të gjitha vendet anëtare të zbatojnë regjistrimin. Përgatitjet teknike për zbatimin e regjistrimit janë bërë dhe vlerësoj se nuk do të ketë pengesa për miratimin e ligjit përkatës në Kuvend”, deklaroi ambasadori Samuel Zhbogar.

Ai tha se sistemi statistikor i pavarur dhe i paanshëm është i nevojshëm për secilën shoqëri dhe për bartësit e politikave që të bëjnë plane më të mira për shërbim më të mirë të sektorit publik ndaj qytetarëve. Ndërsa rikujtoi se BE nëpërmjet fondeve IPA ka investuar rreth 5 milion euro, për reforma në Entin Shtetëror të Statistikave dhe Bankën Popullore. Zhbogar shtoi se në raportin e fundit të BE-së është vërejtur se në pjesën e statistikës nevojiten përmirësime, veçanërisht tek makroekonomia dhe mbrojtja sociale dhe se duhet të vazhdohet me reformat, jo për shkak të BE-së, por për shkak të vetë vendit.

“Në Ditën Evropiane të Statistikës, do të doja edhe njëherë ta përsëris moton ‘Të dhëna më të mira. Jetë më e mirë’. Për ne si prodhues të statistikave zyrtare, përcaktimi ynë mbetet që të respektojmë të gjitha standardet e sistemit evropian statistikor. , theksoi Apostoll Simovski, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

Regjistrimi i popullsisë ishte i paraparë që të mbahet në prill të vitit 2020, por pasi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë përcaktuar për më 12 prill, tani për tani mbetet e paqartë se kur do të realizohet ai. Përndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në vend, nuk është realizuar që në vitin 2002, edhe përskaj tentimeve të shumta, të cilat kanë dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Marketing